FOKUSI NË BUJQËSI

“Patatja e nxehtë” rrezikon raportet Kosovë-Shqipëri

Autori: Gazeta inFokus 10:26 | 12 July 2017

Një vendim i palës shqiptare për t’i vendosur çmim referent patateve dhe qepëve të prodhuara në Kosovë, mund t’i dëmtojë rëndë raportet tregtare mes të dyja vendeve.

Tash është pala kosovare që po pret të marrë masa të njëjta ndaj prodhuesve shqiptarë të patates dhe qepës, shkruan Gazeta Fjala.

Ministrja në largim e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në një intervistë për Gazetën Fjala, ka paralajmëruar se shumë shpejt edhe Kosova do të vendos reciprocitet me Shqipërinë.

-Advertisement-

Kjo nëse pala shqiptare nuk reflekton mbi situatën e krijuar.

“Vendosja nga ana e Qeverise se Shqipërisë te çmimit referent prej 0.19 euro për patatet nga Kosova qe eksportohen ne Shqipëri po i dëmton rende prodhuesit kosovare. Kjo politike e qeverise shqiptare nuk i ndihmon unifikimit te tregut mbarë shqiptar”, ka thënë Bajrami.

Doganat e Shqipërisë kanë vendosur një rregull të ri, ku për patatet dhe qepët e Kosovës të rritet referenca tregtare nga 0.14 në 0.19 euro, që nënkupton një pamundësi konkurruese në tregun e Shqipërisë.

Bajrami thotë se ka komunikuar me ministren homologe të Qeverisë së Shqipërisë, Milva Ekonomi, dhe ka kërkuar që kjo masë të shfuqizohet sa më shpejt sepse është në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s.

Sipas saj, kjo është në kundërshtim edhe me marrëveshjen për nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe në kundërshtim me objektivat e të dy qeverive për unifikimin e tregut të përbashkët ndërmjet dy vendeve tona.

“MTI është në pritje dhe optimiste që Qeveria e Shqipërisë ta shfuqizojë këtë barrierë tarifore, mirëpo e ka njoftuar palën e Shqipërisë se nëse do të ketë vonesa në këtë drejtim, atëherë Kosova do të ndërmarrë masa reciproke me qëllim të mbrojtjes së prodhuesve kosovarë në përputhje me legjislacionin vendor si dhe në pajtueshmëri me marrëveshjet rajonale (sikurse CEFTA) dhe ato reciproke që ka me Republikën e Shqipërisë”, ka thënë Bajrami.

Afër 1 milion euro patate eksport

Kosova eksporton brenda vitit mbi 1.3 milionë euro patate në vendet e CEFTA-s. Prej tyre, pjesa më e madhe shkojnë në tregun e Shqipërisë, ndërsa Serbia zë vendin e dytë e përcjellë nga Maqedonia sa i përket eksporteve të patates.

Por pas bllokadës nga Shqipëria, fermerët e patates thonë së janë bllokuar tërësisht dhe se ky vendim ka ardhur bash në kohën e sezonit.

Bedri Kosumi, pronar në kompaninë “Pestova”, thotë se ndërmarrja e tij nuk dëmtohet edhe aq, meqë merret me përpunim të patates, por me të dëmtuarit janë fermerët e vegjël.

Ai thotë se me t’u marr ky vendim nga pala shqiptare, menjëherë kjo ka reflektuar në çmimin e patates.

“Fermerët janë dëmtuar shumë. Unë e grumbulloj pataten dhe ka shqetësime të mëdha. Deri në 8 cent kilogramin e kemi grumbulluar më herët pataten por tash ka shkuar menjëherë në 19 cent”, ka thënë Kosumi.

Vendimin e palës shqiptare ai e sheh krejt të pakuptimtë dhe aspak korrekt në relacionet tregtare të te dyja vendeve.

OEK: Këto masa po merren në kohën samiteve rajonale

Sipas Odës Ekonomike të Kosovës, është shqetësuese kur masa të tilla kundër produkteve kosovare ndërmirren mu në kohën e sezonës turistike ku pjesa dërrmuese e vizitorëve janë nga Kosova si dhe në prag të takimeve dhe samiteve rajonale dhe evropiane ku promovohet bashkëpunimi ekonomik.

“Këta prodhues janë ballafaquar me këto problem edhe në të kaluarën por gjithnjë duke menduar se këto sfida i takojnë të kaluarës pasi që janë organizuar debate të shumta dhe takime, qoftë në nivel të presidentëve apo edhe ministrave por problemet për bashkëpunim me Shqipërinë vazhdojnë edhe më tutje”, thuhet në një komunikatë për media të OEK.

Në komunikatën e OEK thuhet se për këtë problematikë është e njoftuar edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me qëllim të shfrytëzimit të mundësive dialoguese me homologët nga pala shqiptare që këto eksperimente me prodhimet kosovare të mos përsëriten më.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera