Sport

Pasi mposhti coronavirusin, Mikel Arteta ka disa fjalë emocionuese për të gjithë

Autori: Gazeta inFokus 23:16 | 26 March 2020

Njerëzit duhet të jenë “emocionalisht më të hapur” pas pandemisë së koronavirusit, thotë trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, pas shërimit të tij.

Arteta 38-vjeçar, doli pozitiv për koronavirus në testimin e bërë më 12 mars, por është raportuar se ai është shëruar pas izolimit.

“Jemi në botën ku çdo gjë ka të bëjë me rrjetet sociale, çdo gjë është një tekst në WhatsApp”, ka thënë trajneri spanjoll. “Por sa e rëndësishme është të prekim njëri-tjetrin, të ndiejmë njëri-tjetrin dhe të përqafojmë njëri-tjetrin? Më mungon kjo me shumë njerëz që i dua. Emocionalisht duhet të jemi më të hapur. Duhet t’ia themi njëri-tjetrit atë që e ndiejmë”.

-Advertisement-

Arteta kishte bërë të ditur se nuk po ndihej mirë pasi ishte konfirmuar se pronari i Olympiakosit ishte me koronavirus. Arsenali ka luajtur me Olympiakosin muajin e kaluar.

Të enjten Arteta ka thënë se po ndihet plotësisht i shëruar dhe ka kërkuar nga njerëzit që t’iu përmbahen këshillave duke qëndruar në shtëpi.

“Është një virus që po e lë botën mënjanë dhe po transformon çdo gjë që e kemi prioritet në jetë. Kështu që ne duhet të marrim këtë mësim”, ka thënë Arteta të enjten për faqen zyrtare të Arsenalit.

Arteta ka thënë se brenga më e madhe e tij ishin tre fëmijët, pasi edhe gruaja e tij u infektua me virus. Ai qëndroi i izoluar në një dhomë për dy apo tri ditë, para se edhe gruaja e tij të sëmurej.

“Jam person shumë pozitiv dhe mundohem të nxjerr më të mirën nga sitata. Nuk kam pasur mundësi të zgjohem pranë fëmijëve të mi, t’ua kushtojë kohën atyre dhe t’i dëgjojë ata. Tani jemi të gjithë në shtëpi dhe po shijojmë këtë moment”, ka thënë Arteta.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera