Lajme

“Pasha Zotin e kam vra”, çka i kishte thënë vëllait i akuzuari që vrau shokun për borxh

Autori: Gazeta inFokus 08:31 | 25 September 2021

I akuzuari Dashmir Lalinovci ka thënë se bashkë me vëllanë, të akuzuarin Trimor e kishin vendosur trupin e viktimës, Shkodran Bytyqi në bagazhin e veturës dhe e kishin lëshuar në një vend, ndërsa pas dy-tri ore e thirri vëllai në shtëpi dhe i tregoi se e kishte djegur kufomën.

Këtë deklarim, i akuzuari Dashmir e bëri në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në rastin ku akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Seanca e parë fillestare në këtë rast është mbajtur më 23 tetor 2020, ku i akuzuari Trimor Lalinovci kishte pranuar fajësinë për veprën penale të “vrasjes së rëndë”, ndërsa i akuzuari Dashmir Lalinovci ishte deklaruar i pafajshëm, me ç’rast ndaj tij ishte veçuar procedura.

-Advertisement-

Më 26 tetor 2020, i akuzuari Trimor Lalinovci është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa më 19 janar 2021, Gjykata e Apelit i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 30 vite, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e djeshme, pas administrimit të provave, është dëgjuar në mbrojtjen e tij i akuzuari Dashmir Lalinovci.

I njëjti në mbrojtjen e tij deklaroi se në ditën kritike ishte duke ngrënë darkë me familje kur e thirri vëllai Trimori.

“Ditën kritike më 8 dhjetor 2019, në mbrëmje kam qenë duke ngrënë darkë me familjen time, në ato momente më ka telefonuar vëllau im Trimori, më tha ‘hajde shpejt’, nga zëri e vërejta që diçka çuditshëm tingëlloi, shkova, pastaj u takova me vëllanë e pyeta se çfarë ndodhi, ai me tha se e kishte vrarë Shkodranin”, deklaroi i akuzuari Dashmir.

Tutje, i akuzuari tha se në atë moment ishte shtangur dhe kishte qarë, ndërsa kishte insistuar ta lajmëronin policinë.

“Në atë moment u shtanga, i thash mos bëj hajgare me këto sende, ai më tha pasha Zotin e kam vra, në ato momente kam fillu me qajt, pastaj vazhdimisht kam insistuar që ta lajmërojmë rastin në polici, por Trimori ato momente kishte nxjerrë armën drejtuar vetes në gojë dhe më tha se e vras veten, nonstop më ka kërcënuar se e vret veten dhe unë duke ia pa gjendjen isha i bindur që ishte i gatshëm me vra veten”, shtoi i akuzuari Dashmir.

Më tej, i akuzuari tregoi se kishin shkuar në vendin ku kishte ndodhur vrasja dhe kur pa trupin e viktimës, Shkodranit, gati humbi vetëdijen.

“Trimori më dërgoi në fshatin Surqinë, ku ishte trupi i Shkodranit, në atë moment kur pash trupin e tij jam shtangur dhe jam mbështetur për veture, gati sa nuk kam humb vetëdijen. Prapë kam insistu me dërgu në spital, por Trimori më kërcënonte duke më thënë e vras veten që nuk më ndihmon me fsheh rastin”, deklaroi ai.

Në këtë mënyrë, i akuzuari Dashmir tha se ishte i detyruar t’i ndihmonte dhe pastaj e kanë marrë trupin e viktiës dhe e kanë lënë në rrugën Babush-Gadime.

“Në ato momente isha i detyruar t’i ndihmoja, pastaj kemi marrë kufomën e kemi futur në bagazhin e makinës, por pasi kemi hy në veturë Trimori më tha se po e dërgojmë në spital, mirëpo nuk vazhdoi në drejtim të Ferizajt por në drejtim të Prishtinës. Kemi vazhduar rrugën Babush–Gadime, aty tek njëfarë vendi e kemi lëshuar trupin e Shkodranit”, tha i akuzuari Dashmir Lalinovci

Pasi përshkroi këtë ngjarje, i akuzuari Lalinovci tha se ishte kthyer tek makina e tij dhe kishte shkuar tek banesa e tij, ndërsa tha se nuk kishte njohuri ku kishte shkuar vëllai i tij Trimori.

Më pastaj, sipas të akuzuarit, pas dy-tri ore e kishte telefonuar vëllai Trimori dhe e kishte ftuar të shkonte tek shtëpia e tij, pasi që këta dy jetonin ndaras dhe pasi kishte shkuar tek shtëpia e vëllait, ky i fundit i kishte treguar se e kishte djegur trupin e Shkodrani.

Ndryshe, në këtë shqyrtim gjyqësor prezent ishin prokurori Valdet Aliu, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Blerim Çelaj dhe avokati i palës së dëmtuar, Visar Musa.

Të njëjtit i propozuan trupit gjykues që t’u jepet kohë për përgatitjen e fjalës përfundimtare, ndërsa kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi aprovoi këtë propozim.

Andaj seanca e radhës u caktua më 1 tetor 2021.

Sipas aktakuzës, Trimor Lalinovci akuzohej se më 8 dhjetor 2019, rreth orës 18:00, në fshatin Surqinë të Komunës së Ferizaj, me dashje, në mënyrë dinake dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Shkodran Bytyqi, në atë mënyrë që duke e shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e tij, meqë të njëjtit ishin njohur më parë, me rastin e shitblerjes së një parcele në shumë prej 157 mijë euro, të cilën e kishte blerë i pandehuri nga tani i ndjeri dhe mënyra e pagesës kishte qenë me rata.

Tutje, në aktakuzë thuhet se meqë nuk kishte arritur t’ia siguronte ratën prej 14 mijë euro, që kishte për ta paguar në ditën kritike, fillimisht vihet në kontakt me tani të ndjerin përmes telefonit duke caktuar takimin se kinse ia kishte siguruar të hollat, pastaj me t’u takuar me të në afërsi të kafenesë “Pianino“, me veturën e tij të markës “Porsche Panamera“ nisen në drejtim të fshatit Prelez, për të vazhduar rrugën deri në afërsi të shkollës së fshatit Surqinë.

Sipas aktit akuzues, pas një bisede i pandehuri e ndal veturën dhe gjersa tani i ndjeri del nga vetura duke përdorur telefonin e tij, i njëjti e shfrytëzon momentin kur i ndjeri ishte me kokë të kthyer mbrapa, e qëllon një herë në pjesën e pasme të kokës me revolen e tij të markës “ZORAKI-M 906-B“, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse siç është konstatuar në raportin e autopsisë MA19-340 të 13 dhjetorit 2019.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas aktit të kryer i pandehuri Trimor e thërret të pandehurin, vëllanë e tij Dashmir Lalinovcin, në mënyrë që ta ndihmojë dhe së bashku shkojnë tek vendi i ngjarjes, marrin trupin e të ndjerit dhe e fusin në bagazh të veturës duke e dërguar në fshatin Kishnapole të Komunës së Gjilanit, ku e hudhin në një përrockë me qëllim që t’i fshehin provat e veprës penale.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se i pandehuri Trimor pas kësaj i vetëm shkon tek pompa e derivateve “PATRONI“, merr një sasi të benzinës në vlerë prej pesë euro dhe kthehet përsëri në vendin ku paraprakisht e kishin hudhur trupin e të ndjerit, me ç’rast e spërkatë me benzinë dhe ia vë flakën, e më pas përdor telefonin e të ndjerit dhe I dërgon sms babait dhe bashkëshortes së të ndjerit, duke iu shkruar në sms se i ka marrë të hollat dhe është nisur për në Gjilan për të takuar një person.

Me këto veprime Trimor Lalinovci akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 dhe 1.6 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në kohë të papërcaktuar e deri më 12 dhjetor 2019, rreth orës 18:00, në fshatin Prelez, Komuna e Ferizajt, i pandehuri pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës “ZORAKI-M 906-B“, të kalibrit 7.65 mm, me një karikatorë me tre fishekë si dhe 12 fishekë të tjerë, me të cilën armë kishte kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, ku me rastin e kontrollit në shtëpinë e të pandehurit nga ana e Policisë së Kosovës, të njëjtat i gjenden dhe i sekuestrohen.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve“ nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Kurse, Dashmir Lalinovci akuzohet se më 8 dhjetor 2019, ora 18:30, në fshatin Surqinë të Komunës së Ferizajt, me qëllim të fshehjes së provave të kryerjes së veprës penale të vrasjes së rëndë, ka ndihmuar të pandehurin e parë, vëllanë e tij.

E gjithë kjo në akzakurë thuhet se u bë në atë mënyrë që me të kuptuar se vëllai i tij kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Shkodran Bytyqi, nga banesa e tij në Ferizaj shkon në fshatin Prelez, takohet me vëllanë e tij dhe së bashku shkojnë në fshatin Surqinë dhe e ndihmon që ta fusin të ndjerin në bagazh të veturës së markës “Porsche Panamera“ dhe ta dërgojnë në fshatin Kishnapole, me ç’rast e hudhin në një përrockë, në mënyrë që të fshehin të gjitha provat e kryerjes së veprës penale të përshkruara si në dispozitiv I të kësaj aktakuze, pastaj largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime, Dashmir Lalinovci akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 dhe 1.6 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera