Lajme

Pas zvogëlimit të pranisë policore në objektet komunale në veri, Osmani thotë se pret hapa të tjerë

Autori: Gazeta inFokus 17:39 | 04 August 2023

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, e ka quajtur hap të rëndësishëm tërheqjen e prezencës policore në dhe rreth objekteve komunale të katër komunave në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se një hap i tillë çon drejt normalizimit të situatës dhe stabilizimit të rajonit.

“Fillimi i tërheqjes së forcave speciale të Kosovës nga komunat veriore shënon një hap të rëndësishëm përpara: shtensionim, normalizim dhe rajoni stabil, siç është parashikuar me nëntë pikat nga udhërrëfyesi i OSBE-së”, ka shkruar Osmani.

-Advertisement-

Diplomati i Maqedonisë së Veriut ka thënë se presin edhe hapa të tjerë përpara për normalizimin e mëtejmë të situatës.

Në dhe rreth objekteve komunale në katër komunat veriore sot është zvogëluar numri i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani konfirmoi për Telegrafin tërheqjen e pjesëtarëve në 25 për qind.

“Konfirmoj se është bërë tërheqja në 25 për qind e pjesëtarëve të policisë së Kosovës në objektet dhe përreth objekteve komunale”, tha Elshani.

Ndryshe, më 10 korrik, Kosova dhe BE-ja kanë arritur pajtim për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ku ndër pikat e dakordimit ishte edhe zvogëlimi në 25 për qind i prezencës policore në veri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera