Lajme

Pas veturës së Simiqit, i vihet flaka edhe një veture tjetër në Leposaviq

Autori: Gazeta inFokus 09:11 | 14 January 2020

Branisllav Radoviq, zëdhënës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, duke u përgjigjur në një pyetje lidhur me rastet e shpeshta të djegies së veturave në pjesën veriore të Kosovës, u ka thënë medieve lokale serbe në veri se “kemi të bëjnë me një problem të madh”.

Vetëm katër ditë pas djegies së veturës së Sllavko Simiqit, kryeshef i të ashtuquajturit Qark i Mitrovicës, deputet dhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, në Leposaviq është djegur në orët e mëngjesit të së hënës edhe një veturë tjetër, pronë e A.D. (1976) nga Leposaviqi. Policia në veri ka njoftuar se është djegur vetura “Fiat Punto” me tabela të regjistrimit KM me ngjyrë metalike, pronari i të cilës, A.D., jeton në Leposaviq. Vetura është djegur para ndërtesës ku ai banon.

Kapiteni Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, u ka thënë medieve në veri të Mitrovicës se zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, si dhe hetuesit policorë. Ai tha se zjarri është lokalizuar shpejt, por megjithatë vetura është djegur pjesërisht.

“Zjarri është paraqitur në orën 3:47 minuta, të hënën. Vetura është djegur pjesërisht, është djegur pjesa e përparme, si dhe pjesa e prapme, ndërsa pjesa në mjedis ka shpëtuar pa u djegur. Vetura ka qenë e parkuar para ndërtesës ku jeton pronari, derisa në parking ndodheshin të parkuara edhe vetura të tjera”, ka thënë kapiten Hoti.

Ndërkaq pronari i veturës së djegur i ka thënë Policisë se me askënd nuk ka qenë në raporte të këqija dhe se askujt s’i ka pasur borxh.

“Në momentin që ka rënë zjarri mbi veturën time unë jam përpjekur ta shpëtoj që të mos digjet vetura e fqinjit, që ka qenë e parkuar afër veturës time, duke e shtyrë sa më larg, bile edhe jam djegur dhe më pas kam marrë trajtim mjekësor në ambulancë”, ka thënë pronari i veturës së djegur, A.D. (1976). Prokurori, i cili ishte njoftuar për zjarrin, e ka kualifikuar rastin si “zjarrvënie”.

Djegien e veturës së A.D.-së e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, Branisllav Radoviq, shkruan Zëri.

“Vetura ka qenë e parkuar para ndërtesës ku jeton pronari, derisa në vendin e ngjarjes ka dalë Policia e Leposaviqit dhe zjarrfikësit, por megjithatë vetura është djegur para dhe prapa. Gjithashtu në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Forenzika dhe njësitë hetuese, është bërë ekspertiza”, ka thënë Radoviqi për mediet në veri. I pyetur lidhur me rastet e shpeshta të djegies së veturave, Radoviqi është përgjigjur se nuk ka të drejtë të përzihet në hetimet që janë duke u zhvilluar, por ka siguruar se “bëhet fjalë për një problem të madh”.

Ndryshe, djegia e kësaj veture është e 4-ta që është djegur brenda një muaji në Leposaviq. Vetëm katër ditë më përpara në Leposaviq është djegur edhe vetura e Sllavko Simiqit. Nga viti 2014 në veri të Kosovës janë djegur 45 vetura, të shumtën të zyrtarëve policorë, të politikanëve dhe të biznesmenëve të veriut të Kosovës.

Të tjera