Lajme

Pas shtimit të rasteve me COVID-19 reagon Presidenti, nuk flet për gjendje të jashtëzakonshme

Autori: Gazeta inFokus 11:41 | 06 July 2020

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka reaguar pas shtimit të rasteve të infektimit me Covid 19 dhe vdekjes së disa personave nga ky virus.
Por ai nuk ka përmendur mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Ndonëse në mars numri i të infektuarve ishte vetëm 19, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte kërkuar që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë.

Thaçi kishte paralajmëruar se do të dërgonte dekret në Kuvend për të shpallë një gjendje të tillë në Kosovë.

-Advertisement-

“Do t’i propozoj Kuvendit të Kosovës dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë. Gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë përfshinë edhe mobilizimin e tërësishëm dhe maksimal të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në gjithë territorin. Ky dekret po ndodh për shkak të fatkeqësisë natyrore, përhapjes së koronavirusit COVID-19”, kishte deklaruara Thaçi në atë kohë.

Mirëpo tani kur vetëm gjatë të shtunë dhe dielës kanë vdekur 16 persona, Presidenti nuk ka folur as edhe një fjalë rreth shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Përmes një statusi në profilin e tij në facebook, Thaçi, ka ngushëlluar familjaret e personave që kanë humbur familjarët e tyre.

“Rritja e numrit të të vdekurve në ditët fundit është dëshmi se rreziku nga pandemia Covid-19 është ende i lartë. Të gjitha familjeve që humben të afërmit e tyre nga kjo pandemi iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Qytetarët e Kosovës duhet të tregojnë kujdes të lartë dhe të respektojnë në mënyrë rigoroze rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë dhe institucioneve të Kosovës, në mënyrë që sa më lehtë ta tejkalojmë këtë sfidë globale”, ka shkruar ai.

Kujtojmë që vetëm të dielën nga IKSHPK janë raportuar 152 raste të infektuar me koronavirus, kurse 9 persona kanë ndërruar jetë.
Numri total i rasteve pozitive 3.508 raste nga 25.245 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 75 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese/Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera