Lajme

Pas reagimeve të shumta nga qytetarët për Merita Hoxhën, sqarohet Ambasada e Austrisë në Shkup

Autori: Gazeta inFokus 17:58 | 27 October 2021

Merita Hoxha-Maksuti, nga Kosova, ditë më parë kishte reaguar në rrjetet sociale pasi Ambasada austriake në Shkup, ia kishte refuzuar vizën disa herë, edhe pse kishte plotësuar dokumentet e nevojshme.

Merita, është nënë e një vajze të vogël të quajtur Maja, e cila për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësorë, ndodhet për shërim në Austri.

Siç ka thënë Merita, vizën e ka kërkuar për tu bashkuar me vajzën e saj pasi vazhdimisht ka nevojë për të dhe e thërret shpesh në telefon pasi nuk ndjehet mirë as emocionalisht.

E pas reagimeve të shumta qytetare ndaj vendimit të ambasadës austriake, kjo e fundit ka dalë me një sqarim.

Në faqen e saj zyrtare në Facebook, thuhet se Ambasada Austriake shqyrton çdo aplikim për vizë sipas rregulloreve e ligjeve të shtetit.

Sipas tyre, kur vendoset për lëshimin e vizës, merret parasysh qëllimi i qëndrimit të synuar të aplikantëve për vizë, si dhe rrethanat e tyre personale, ekonomike dhe sociale.

Tutje ambasada thekson se në këtë proces dokumentet e paraqitura nga aplikantët si dhe informacioni dhe deklaratat e tyre përbëjnë bazën për tu pajisur me vizë.

“Ambasada duhet të kontrollojë informacionin nga aplikacioni për plotësinë dhe korrektësinë. Nëse dokumentet mungojnë ose nëse informacioni thelbësor rezulton i pavërtetë, përgjegjësia për këtë nuk është e ambasadës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, për rastin e Meritës, ambasada ka thënë se për shkak të mbrojtjes së të dhënave, ambasada nuk ka të drejtë të komentojë për rastet individuale.

“Në raste urgjente humanitare kërkesave për viza u jepet përparësi”, e rastin e Meritës, ambasada nuk e ka konsideruar urgjencë edhe pse vajza e saj e vogël ka nevojë për nënën.

“Në përgjithësi, procedurat e vizave kërkojnë vetëm një vizitë të vetme”. “Shpesh ambasada lëshon atë që njihet si “njoftim mandati”.

Në fund ambasada ka thënë se në rast kundërshtimesh ndaj këtij vendimi paraprak, aplikanti mund të paraqesë në ambasadë dokumente shtesë, të cilat duhet të merren parasysh për vendimin përfundimtar.

Të tjera