Fokus

Pas raportimeve të vazhdueshme nga Gazeta Infokus, konkursi për profesorët e kirurgisë kthehet në pikën zero

Autori: Islam Morina 19:24 | 06 January 2022

Gazeta Infokus në vazhdimësi ka raportuar për parregullsitë që e kanë shoqëruar konkursin për emërime dhe avancime të kuadrit universitar në UP, konkretisht në emërimin e pesë profesorëve të kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë.

LECO EDHE: Katedra e Kirurgjisë së Fakultetit të Mjekësisë pa profesorë: Rregullore kontradiktore, presione dhe emërime komisionesh në kundërshtim me rregulloren (DOKUMENT)

Kjo ka bërë që konkursi të kthehet në pikën zero edhe pas ankesave të shumë kandidatëve që ishin në garë për këto pesë pozita dhe raportimeve të gazetës se konkursi po shoqërohet me parregullsi të shumta.

LEXO EDHE: Edhe një komision i ri për përzgjedhjen e 5 profesorëve të kirurgjisë

Njëri nga kandidatët për profesorë të kirurgjisë Dr. Halit Maloku, kishte dërguar ankesë në Komisionin për Ankesa të Kandidatëve, e që nga ky komision ishte aprovuar si plotësisht e bazuar.

Maloku u ishte drejtuar me një email edhe anëtarëve të senatiti të UP-së, e të cilët i ka njoftuar se ai edhe pse ka bërë ankesë në shkallën e dytë, nuk ka marrë zyrtarisht njoftim për ankesën e tij, si e drejtë ligjore dhe kusht ligjor, por për të njëjtën është informuar në rrugë të tjera se ajo ankesë i është aprovuar tërësisht e bazuar.

Kirurgu Maloku në shkresën e tij drejtuar anëtarëve të Senatit të UP-së ka argumentuar të gjitha shkeljet ligjore, procedurale , e madje ka akuzuar edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për siç thotë ai katapultimin e individëve të caktuar në pozitën e profesorit të kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë.

Në emailin e tij, Maloku tregon se edhe në Raportin recensues të kandidatëve janë bërë vlerësime jo të duhura dhe me tendencë të dëmtimit të disa kandidatëve përfshirë edhe vet atë, për të cilat ka raportuar edhe Gazeta Infokus në vazhdimësi.

LEXO EDHE: Senati i UP-së kundërligjshëm ia zgjatë mandatin komisionit vlerësues në konkursin për profesorë të kirurgjisë

Mirëpo Senati i UP-së, kësaj të enjte ka mbajtur takimin e vet të radhës me vetëm një pikë të rendit të ditës, atë të shqyrtimit dhe marrjes së vendimit e përzgjedhjes së personelit akademik sipas konkursit nr. 804 të datës 14.05.2021.

Në mbledhjen e senatit të UP-së, Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka – Kërliu, ka propozuar që të rishpallet sërish konkursi dhe që gjithçka të kthehet në pikën zero, madje ajo ka konstatuar se ankesat e kandidatëve janë të bazuara, pa i përmendur shkeljet tjera procedurale, e duke vënë theksin te ankesat e kandidatëve dhe te fakti se anëtarët e komisionit nga Turqia nuk kanë bërë recension të plotë, ku kanë bërë recension vetëm për një kandidat, e jo edhe për të tjerët, ashtu siç kërkohet me rregullore.

Manxhuka – Kërliu, ka thënë se Këshilli ka propozuar po ashtu që të bëhen përmirësime edhe në rregulloren për emërime dhe avancime në UP, si dhe të gjendet bazë ligjore që të gjithë asistentët në Fakultetin e Mjekësisë për lëndën e kirurgjisë, të avancohen në pozitën e profesorit të rregullt.

Pas debateve të shumta mes senatorëve të UP-së për këtë çështje, Senati mori vendim se ai si institucion nuk mund të merr vendim për emërimin e asnjë kandidati në pozitën e profesorit të kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë,me arsyetimet se nuk ka raport të kompletuar recensues dhe se Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë, nuk ka dhënë kurrfarë rekomandimi.

LEXO EDHE: Vazhdojnë shkeljet në konkursin për profesorë të kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë

Në bazë të Rregullores për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës, neni 16 paragrafi 6, konstatohet se nëse konkursi nuk realizohet në tërësi apo pjesërisht brenda afatit, atëherë vendet përkatëse të parealizuara mund të shpallen në konkursin e radhës, sipas kërkesës së fakultetit./Gazeta Infokus/

Të tjera