Lajme

Pas plagosjes në veri, thellohet distanca mes qytetarëve dhe Policisë

Autori: Gazeta inFokus 20:10 | 13 April 2023

“Si mund të kem [besim në Policinë e Kosovës] kur ata qëllojnë, arrestojnë njerëz… Si mund të kem besim tek ata?”.

Kjo ishte përgjigjja e Jovan Aleksiqit, qytetar serb nga Mitrovica e Veriut kur u pyet nga Radio Evropa e Lirë nëse ai i besonte Policisë së Kosovës pas incidentit të 11 prillit kur një zyrtar policor i Kosovës plagosi Milan Jovanoviqin, derisa siç u tha, ai dyshohet se nuk u ndal në një pikë kontrolli.

Jovanoviq u plagos në rrugën magjistrale Mitrovicë – Leposaviq.

-Advertisement-

Për këtë rast u arrestuan katër zyrtarë policorë, K.P i dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë” dhe “manipulim me prova”. Të tjerët F.M, S.U dhe M.M u arrestuan për veprën penale “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës konfirmoi për REL-in se ka kërkuar shqiptimin e paraburgimit për një muaj për të gjithë.

Njëjtë si Jovani, edhe Teodora Zhivkoviq, thotë se nuk ndihet e sigurt pasi dyshon se ajo që i ka ndodhur Millanit, mund t’i ndodhë kujtdo tjetër.

“Policia serbe në veri ka kohë që është zhdukur. Kohët e fundit kanë ndodhur vetëm incidente. Në thelb, ne nuk ndihemi të sigurt. Ne nuk kemi besim në Policinë e Kosovës, duke marrë parasysh gjithçka që po ndodh”, thotë ajo.

Pas tensioneve të vitit të kaluar dhe tërheqjes së serbëve të komunave në veri nga institucionet e Kosovës, policia ka vendosur disa postblloqe në rrugët kryesore që çojnë në pikën kufitare me Serbinë në Jarinjë.

Javë më parë një incident i ngjashëm kishte ndodhur kur zyrtarët policorë të Kosovës qëlluan me armë zjarri drejt një veture, e cila pasi e kishte goditur automjetin e policisë, nuk ishte ndalur në pikën e kontrollit.

Në këto pika kontrolli zakonisht qëndrojnë pjesëtarë të njësive të specializuara të policisë.

Shkelje të Kodit Etik, Ligjit për Policinë…

Në deklaratat publike të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, nuk janë bërë publike të gjitha rrethanat e plagosjes së Millan Jovanoviqit.

As Prokuroria Themelore e Mitrovicës, që po e heton rastin, nuk ka treguar për REL-in nëse ka arritur të intervistojë të viktimën.

Por, Mentor Vrajolli, njohësi i fushës së sigurisë, njëherësh udhëheqës i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se zyrtarët policorë të përfshirë në këtë rast kanë tejkaluar autorizimet ligjore.

“Përdorimi i forcës së tillë ndodh kur zyrtari policor është i rrezikuar drejtpërsëdrejti nga palët e tjera. Pra, tejkalimi që është bërë nga zyrtari policor përbën vepër penale”, thotë Vrajolli.

Vrajolli thekson se incidente të tilla mund të jenë të paevitueshme pasi siç thotë ai, në pikat e kontrollit në veri ka për momentin njësi të specializuara që nuk janë të trajnuara vazhdimisht për mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

“Risku është te fakti që njësitë speciale janë të përgatitura për situata pak më të komplikuara dhe jo domosdo kanë një përgatitje të vazhdueshme sa i përket menaxhimit të situatave të sigurisë publike siç ka ndodhur në këtë rast”, shpjegon Vrajolli.

Kodi Etik i Policisë së Kosovës thotë se zyrtari policor shfrytëzon forcën vetëm si opsion të fundit, gjë që, sipas Inspektoratit Policor të Kosovës, nuk ishte rasti
në plagosjen e Millan Jovanoviqit.

Neni 21 i Kodit Etik të Policisë thotë se “Gjatë ushtrimit të autorizimeve, zyrtari policor ligjërisht ka të drejtë ta përdorë forcën, e cila duhet të jetë e arsyeshme, proporcionale dhe e domosdoshme.

Autorizimi për shfrytëzimin e forcës duhet të shfrytëzohet si mjet i fundit dhe vetëm për të arritur një objektiv ligjor të Policisë”.

Të njëjtën gjë, por në mënyrë më specifike e thotë edhe Ligji për Policinë.

“Zyrtari policor mund ta përdorë forcën për ta mbrojtur jetën e personit, për ta parandaluar sulmin, kryerjen e veprës penale, arratisjen e kryesit të veprës apo atëherë kur masat e tjera nuk janë të suksesshme për arritjen e një objektivi tjetër legjitim të policisë”, thuhet në nenin 26 të këtij ligji.

Për çfarë vepra dyshohen policët dhe sa janë të dënueshme?

Polici K.P që dyshohet se plagosi Millan Jovanoviqin, akuzohet për dy vepra penale “vrasje në tentativë” dhe “manipulim me prova”.

Të dyja këto vepra janë të dënueshme me Kodin Penal të Kosovës.

Për veprën penale “vrasje në tentativë”, K.P nëse shpallet fajtor mund të dënohet me së paku pesë vjet burgim. Sipas Kodit Penal të Kosovës, personi që tenton të kryejë vepër penale dënohet si të kishte kryer veprën atë, por dënimi mund të zbutet.

Ndërsa për veprën penale “manipulim me prova”, dënimi sillet nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Tre policët e tjerë, F.M, S.U dhe M.M, që dyshohen për veprën penale “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”, sipas Kodit Penal mund të dënohen me gjobë ose burgim deri në 3 vjet.

“Vështirë se dikush e do më policinë në veri”

Në veri të Mitrovicës, Caleb Waugh, udhëheqësi i zyrës për politika në organizatën joqeveritare “Aktiv”, thotë se tejkalimi i autorizimeve në rastin e plagosjes ka irrituar edhe më shumë komunitetin serb në veri.

Waugh thotë se ky rast i ndodhur në rrethana të pasqaruara krejtësisht, vetëm se do të rrisë ndjenjat kundër Policisë së Kosovës.

“Prania e njësive speciale është frikësuese për shumë qytetarë. Ka pasur shumë raste të raportuara të abuzimit dhe këtu po flas për raste të tjera që nuk përfshijnë gjuajtje me armë, por keqtrajtime të formave të ndryshme të civilëve. Pra, nuk mund fare të flasim për një relacion në mes të Policisë së Kosovës dhe qytetarëve në veri, pasi që ai relacion është joekzistent”, thotë Waugh.

Ai beson se qytetarët në komunat në veri pajtohen me prezencën e një force policore, porse siç thotë ai, jo në këto kushte, me prezencë kaq të madhe të njësiteve speciale.

Rikthimi i zyrtarëve serbë të dorëhequr mund të ishte një zgjidhje, thotë Waugh.

“Një fillim i mirë do të ishte tërheqja e njësive speciale nga veriu dhe tërheqja nga ndërtimi i bazave të policisë në veri”, tha ai.

Por, e gjithë kjo, sipas tij, kërkon angazhim më të gjerë.

Derisa veriu mbetet i përfshirë nga tensionet, Irfan Krivosiq, qytetar nga Mitrovica e Veriut, thotë se gjithçka mbetet në “status quo”.

“A kam besim te Policia e Kosovës? Jo. Jo, sepse sa herë që është dashur të zgjidhet një situatë e vështirë, e kanë zgjidhur kryesisht të huajt apo KFOR-i”, thotë ai.

Incidentin e dënuan ambasada të ndryshme në Kosovë, si dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Reagime pati edhe në Serbi. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të enjten tha se Jovanoviq ishte duke transportuar tenxhere dhe tepsia nga Serbia për t’i shitur në Mitrovicë Veriore.

Këto pretendime nuk i komentoi Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova
-Advertisement-

Të tjera