Lajme

Pas padisë së VV-së, Gjykata ndali “dallaveret” në ZRRE

Autori: Gazeta inFokus 10:18 | 16 January 2020

Tërmeti i 26 nëntorit në shqipëri tronditi jo veç shqiptarët e Shqipërisë e të Kosovës, por edhe vendet përreth.

Por, si duket, në krejt atë alarm, dikush deshi ta shfrytëzoi për të bërë dallavere e të përfitoi financiarisht, shkruan gazeta inFokus.

Më 27 nëntor, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e shtoi si pikë të rendit të ditës e mori vendim për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse.

E kjo u pa e dyshimtë nga Vetëvendosje të cilët edhe dorëzuan padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, shkruan gazeta inFokus.

“Anëtari i Kryesisë Sami Kurteshi dhe aktivisti Getoar Mjeku, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor, dorëzuan me 24 dhjetor padi ndaj vendimit të ZRRE-së për shtimin e kapaciteteve me tarifa nxitëse për sistemet solare fotovoltaike”, thuhet në një njoftim të Vetëvendosjes.

E tash aktvendimi u mor ku aprovohet kërkesa për pezullim.

“Me 14 janar u njoftuam nga Gjykata Themelore me Aktvendimin ku aprovohet kërkesa jonë për pezullimin e këtij vendimi deri sa kjo çështje të shqyrtohet nga Gjykata”.

“Rikujtojmë se ky vendim u morë më 27 nëntor 2019, teksa në Kosovë ishte shpallur ditë zie për viktimat e tërmetit në Shqipëri. Në atë mbledhje Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë pasi që e shtoi si pikë të rendit të ditës aty për aty dhe pa arsyetim valid, mori vendim për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripër­të­rishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut. Të njëjtin vendim e patën marrë edhe në 2016 me një çmim edhe më të lartë se tash, 136.4 euro për MËh që u paguhet për 10 vite dhe mbi 50% të tyre një grupi financiar, Devollit. Por nuk u mjaftoi kjo, e përsëritën duke e zgjeruar në 20 MË dhe me tarifën nxitëse 85.5 euro për MËh, për 12 vite, tash mbi 60% të njëjtit grup financiar”, thuhet në njoftimin e VV-së.

“Vendimi i paditur nga ne nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe cenon interesin publik në favor të interesave private të cilat në rastin konkret nuk shërbejnë për asgjë tjetër në sektorin energjetik e as obligimeve ndërkombetarë të Kosovës, përveçse nga faturat tona të energjisë do të paguhen Devolli e të tjerë për çmimin e energjisë”./Gazeta inFokus/

 

 

 

Të tjera