Lajme

Pas një viti arrin nga Zvicra raporti i vdekjes së Astrit Deharit

Autori: Gazeta inFokus 12:09 | 17 October 2019

Prokuroria Themelore në Prizren, ka pranuar të enjten raportin përfundimtar të ekspertizës për vdekjen e Astrit Deharit, i cili është kryer në Zvicër.

Kjo është bërë e ditur nga Prokurori, Admir Shala, i cili tha se ende nuk është hapur ky raport dhe nuk dihet përmbajtja e tij.

“Sot kemi pranuar raportin e ekspertizës mbi vdekjen e Astrit Deharit, nga Lozana, përmes ambasadës së Zvicrës në Kosovë. Ende nuk është hapur raporti nuk e dimë përmbajtjen e tij, raportin do ta dorëzojmë tek prokurori i rastit pastaj do të dorëzohet për përkthim,  pas përkthimit dhe dorëzimit tek prokurori i rastit, do ta njoftojmë opinionin se çfarë përmban ky raport”, ka thënë ai para mediave.

-Advertisement-

Shala bëri thirrje që opinioni të përmbahet deri në publikimin e raportit dhe të mos dëmtohet procesi.

Ai tha së në momentin e përkthimit të raportit do ta dorëzojnë atë tek avokati i familjes Dehari.

Astrit Dehari ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, u arrestua më 30 gusht të vitit 2016, i dyshuar se bashkë me aktivistë të tjerë sulmuan Kuvendin e Kosovës.

Ai vdiq më 5 nëntor të po të njëjtit vit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të vdekjes së Astrit Deharit më 18 nëntor 2016 doli në përfundim se Dehari ka bërë vetëvrasje, por rezultatet e këtij raporti nuk u pranuan nga prindërit e të ndjerit.

Në tetorin e vitit të kaluar Qeveria e Kosovës me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri ka ndarë mjetet financiare në shumën prej 50 mijë eurove për ekspertizë shtesë jashtë vendit në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera