Lajme

Pas kritikave reagon Osmani, nxjerr videon ku nëpër fjalimet e saj përmend UÇK-në

Autori: Gazeta inFokus 19:54 | 10 April 2021

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi  u kritikua se nuk përmendi  UÇK-në kur foli për Betejën e Koshares, shkruan Gazeta Infokus.

Osmani ka publikuar një video e cila përmban paraqitjet e saj të ndryshme ku e përmend UÇK-në.

Ajo ka thënë se ndaj saj është duke u bërë propagandë dhe se kjo nuk është hera e parë.

-Advertisement-

Në rrjetin social Facebook ka shkruar se “Prekazi, Likoshani, Çirezi, Gllogjani, Loxha, Llapushniku, Vërrini, Tabet e Llapashticës, Shala e Bajgorës, Kosharja e Pashtriku, si dhe gjithandej në Kosovë ku UÇK luftoi, janë frymëzimi , burim i krenarisë dhe dhimbjes për të gjithë djemtë dhe vajzat e Kosovës që humbëm në luftën për liri”.

“Por, nuk është hera e parë që bëhet një luftë speciale e ndërtuar mbi të pavërteta, sikur kjo e ditës së djeshme. Si çdoherë, po e përsëris, lufta e drejtë e UÇK-së, të gjithë dëshmorët e martirët, më së shumti nderohen kur ne punojmë mirë e drejtë për të gjallët dhe e ndërtojmë shtetin tonë mbi idealet që i kishin luftëtarët e lirisë dhe të gjithë ata që dhanë jetën për shtetin që e gëzojmë. Përtej propagandës së orkestruar, dëshmitë flasin ndryshe”, ka shkruar Osmani./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera