Lajme

Pas kërcënimit të Vuçiqit për luftë, vjen paralajmërimi: Ja pse nuk guxon të hyjë Serbia në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 08:24 | 30 September 2021

Kanë kaluar nëntë ditë që nga dita kur kryeministri Kurti ka vënë reciprocitetin ndaj Serbisë.

Ky vendim ka arritur të sjellë tensione edhe më të mëdha mes dy vendeve.

Pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje dhe Bërnjak, për të nëntën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara, teksa atje po qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

-Advertisement-

Mirëpo, në lidhje me këtë ngjarje kanë reaguar edhe ndërkombëtarët, duke kërkuar që të mos vazhdojë ky tension mes dy vendeve.

Shtetet e Bashkuara thanë se po punojnë së bashku me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, që të shtensionohet situata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, tha se është e rëndësishme që të shmangen veprimet që mund të rrisin tensionet.

“SHBA-ja po punon me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në shtensionimin e situatës dhe për të shmangur veprimet që rrisin tensionet, që vënë në rrezik përparimin e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha zëdhënësi i DASH-it.

Ndërsa për këtë çështje ka reaguar edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell i cili bëri të ditur se gjatë javës së ardhshme, kryenegociatorët e Kosovës janë pajtuar që të takohen në Bruksel, ku do të diskutohet për çështjen e lirisë së lëvizjes.

Ai tha se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja platformë për të adresuar çështjet e hapura mes palëve.

Ndërsa ai i cili po vazhdon të kërcënojë publikisht është presidenti Vuçiq, i cili u shpreh se nëse nuk largohet vendimi i marrë nga Kurti, do të hyjnë në Kosovë.

“Serbia vetëm e ka ngritur gatishmërinë e saj luftarake. Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës, jo sepse ne nuk e konsiderojmë Kosovën si territorin tonë, por sepse sipas Marrëveshjes së Kumanovës ne nuk kemi të drejtë ta bëjmë këtë. I thashë Stoltenberg sot që ne nuk do të hyjmë në Kosovë me trupat tona, dhe se nëse njerëzit rrezikohen, ne do të presim 24 orë për ndërhyrjen e NATO -s”, tha Vuçiq.

Këtë deklaratë e mbështeti edhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili deklaroi se xhandarmëria serbe do të përmbushë çdo urdhër të Vuçiqit dhe se është “gati, e trajnuar, e pajisur teknikisht, por, siç tha ai, më e rëndësishmja, shumë e motivuar, për të mbrojtur njerëzit e saj kudo që është e nevojshme.

Tërnava: Serbia nuk ka fuqi të hyjë në Kosovë siç po pretendon Vuçiqi

Në lidhje me këtë temë, eksperti i sigurisë dhe ish zëvendësministri në Ministrinë e Mbrojtjes, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se situata vazhdon të mbetet e tensionuar në veri të vendit dhe se kërcënimet e Vuçiqit janë qesharake pasi sigurinë e vendit e garanton KFOR-i.

“Situata tani e tensionuar për masat e reciprocitetit nga ana e Qeverise Kurti, që e ka shqetësuar Serbinë dhe kryetarin e saj Vuçiqin, i cili që nga viti 2011 e kishte nënshkruar vetë këtë marrëveshje me qeverinë e atëhershme të Kosovës dhe deri në vitin 2016 e ka pasur afatin që duhet ta realizojë, edhe pas 5 viteve vonesë, ai tani nervozohet pse tani Kosova po ia kthen hakun në të njëjtën mënyrë për vepër të njëjtë të targave. Qeveria Kurti është duke kërkuar nga Serbia që nëse largon masën ndaj automjeteve të qytetarëve të Kosovës edhe Qeveria Kurti do ta largojë këtë masë, megjithatë tani e shohim si Vuçiq e kërcënon publikisht Kosovën, duke pretenduar që do të futet me ushtrinë e tij në Kosovë. Ky kërcënim i Vuçiqit në vazhdimësi për njohësit e situatës në detaje, është edhe qesharak, sepse sigurinë e territorit të Kosovës e garanton KFOR-i në kufijtë ekzistues të saj”, u shpreh ai.

Eksperti i sigurisë më tej thotë se nëse Serbia mendon të futet në territorin e Kosovës, atëherë ajo do të pësojë përsëri kapitullimin që e përjetoi në vitin 1999.

“Nëse Serbia pretendon të futet brenda territorit të Kosovës me ushtrinë e saj, rezoluta 1244 e miratuar nga OKB në vitin 1999 është ende në fuqi, dhe KFOR me NATO do të kundërvihen forcave të armatosura të Serbisë, por Serbia e ka të freskët luftën me ato bombardime që i pësoi në vitin 1999 nga e cila pësoi kapitullimin e saj me marrëveshjen e Kumanovës, prandaj Serbia tani e ka të qartë se çfarë do ta gjejë dhe a do të ekzistojë me një Serbi në të ardhmen, nëse bën konflikt ushtarak me KFOR-in dhe NATO-n, sepse Serbia edhe më shumë shtete tjera të Ballkanit është në marrëdhënie konfliktuoze dhe shpesh ka edhe mosmarrëveshje dhe konflikte mes tyre sikur me Malin e Zi tani, me Kroacinë, Bosnjën e Hercegovinën, Kosovën, etj”, thotë Tërnava.

Nga ana tjetër, Tërnava thotë se Serbia nuk ka nga t’i ikë njohjes reciproke dhe se kërcënimet që po vazhdon t’i bëjë, nuk përkojnë me realitetin.

Sipas tij, njohja reciproke do t’iu hapte rrugët vendeve drejtë BE-së, andaj e njëjta duhet të ndodhë sa më shpejt.

“Të gjitha këto situata në të cilën gjendet Serbia, tani i dinë mirë përfaqësuesit e pushtetit serb, por të gjitha këto kërcënime janë konsum politik edhe para zgjedhjeve që në vitin e ardhshëm që do të ndodhin në Serbi, por ka sinjale se në bazë të politikave ndërkombëtare që po zhvillohen dhe presioneve që po i bëhen Serbisë, ajo duhet të përcaktohet për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj ky konflikt mund të ndodhë edhe si veprim politik serb, që popullata e saj të përcaktohet se a po dëshirojnë luftë me më të mëdhenjtë e botës, në këtë rast me NATO-n, apo dëshirojnë njohjen reciproke sikur po e kërkojnë të fortit e botës dhe nëse ndodhin njohjet reciproke, tani edhe Serbia edhe Kosova do t’iu hapen rrugët drejt anëtarësimit në BE si dhe Kosova në OKB, kurse Kosovën do ta njohin edhe pesë shtetet e BE-së, që deri tani nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, kjo njohje e pavarësisë të Kosovës nga ato pesë shtete të BE-së do të ishte si produkt i njohjeve mes veti të këtyre dy shteteve Serbi-Kosovë”, tha Tërnava për “Bota sot”.

Duhanaj: Pozitë-opozitë të bëhen bashkë karshi Serbisë

Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha se kërcënimi nga ana e Vuçiqit është i pabazuar pasi çdo sulm nga ajo prek NATO-n.

Ajo e cila duhet të na rrezikojë sipas analistit është neglizhenca e politikës së brendshme.

“Për sa u përket kërcënimeve të Beogradit zyrtar karshi Kosovës në përgjithësi, e po ashtu kërcënimi i tanishëm i Presidentit të Serbisë Vuçiq, nuk është do duhet të bëhej lajm kaq i madh. Natyrisht që kërcënimet më anë të dislokimit të trupave ushtarake përreth kufirit, Serbia ka bërë atë çfarë mund ta bëjë, por që për mendimin tim, kjo është edhe e tëra. Çdo ndërhyrje apo përpjekje për të kërcënuar sovranitetin territorial të Kosovës do të ishte edhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj NATO-s, prandaj nuk besoj që Kosova rrezikohet nga jashtë përderisa është nën mbrojtjen e NATO-s. Ajo çfarë mund të na rrezikojë, është me shumë neglizhenca në politikën e brendshme e cila për fat të keq është më se evidente”, thotë analisti.

Nga ana tjetër, ai thotë se e tëra se çfarë mund të bëjë Serbia, është që t’i rris ambiciet në tryezën e bisedimeve sidomos në lidhje me Asociacionit.

Duhanaj apelon qeverinë dhe opozitën që të jenë të bashkuar në këtë drejtim.

“Ajo çfarë duhet të na shqetësojë e shumë është sjellja jonë e papërgjegjshme e cila jo rrallëherë ka ndikuar që edhe NATO-n ta befasojmë duke e vënë para aktit të kryer. Serbët e Kosovës janë të instrumentalizuar nga Serbia, ashtu siç Serbia instrumentalizohet nga Rusia. Pra. këtu kemi të bëjmë me thyerje shpatash te të mëdhenjve e jo veç për një krizë lokale. Për mendimin tim, ajo çfarë mund të ndodh si rrjedhojë e kësaj situate mund të jetë rritja e ambicieve të Serbisë në tryezën e dialogut, e cila do të provojë ta shfrytëzojë për ta rritur pazarin rreth temës se asociacionit. Në ketë kontekst, kisha për të apeluar tek Qeveria, por edhe partitë tjera, që për temat me interes nacional, të mos ketë përçarje por një rrugëtim të përbashkët gjithëshqiptar, përfshirë edhe Shqipërinë dhe vendet tjera përreth”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera