Lajme

Pas Berishës, sot shkon në prokurori edhe Lulzim Basha

Autori: Gazeta inFokus 12:11 | 14 January 2022

Një ditë pas Sali Berishës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të paraqitet në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar atë që ndodhi në protestën e thirrur prej ish-kryeministrit, më 8 janar para selisë blu.

Pak më parë ka mbërritur Bardhi, i cili po jep deklarimet e tij para prokurorëve.

Burime për gazetarin e Abcnews.al, Ervin Leka, bënë të ditur se të dy ata kishin konfirmuar se do të paraqiten vetë në prokurorinë e Tiranë. Lulzim Basha, do të paraqitet në orën 12:00 për t’u pyetur lidhur me atë që ka ndodhur në protestën e dhunshme më 8 janar, të iniciuar nga Sali Berisha kundër tij.

-Advertisement-

Sjellim në vëmendje, se ditën e djeshme ishte Sali Berisha i cili u përgjigj për 3 orë pyetjeve të Prokurorisë, lidhur me atë që kishte ndodhur. Pas marrjes në pyetje, Berisha pati një deklaratë për mediat duke hedhur akuza ndaj Bashës se mbështetës të tij ishin të armatosur. Teksa e cilësoi Bashën si peng të Edi Ramës, bëri një paralajmërim për protesta të mëdha. Mes të tjerash Berisha njoftoi edhe një ndryshim të strategjisë së përdorur, duke iu rikthyer edhe një herë takimeve me qytetarët.

Dyer të shkatërruar, dritare të thyera, gurë e shkopinj, kjo është panorama që la pas 8 Janari, ndërsa pas kërkesës nga deputetët demokratë që ishin brenda selisë, u desh ndërhyrja e policisë për të shpërndarë turmën e irrituar që kërkonte largimin me forcë të Lulzim Bashës.

Dy ditë më parë Gjykata la të lirë 34 personat e arrestuar më 8 janar, ku vetëm 5 prej tyre u lanë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndërsa pjesa tjetër ka detyrimin të paraqiten në polici.

23 prej të arrestuarve ishin pjesë e grupimit të Sali Berishës që rezultoi me një dhunë ndaj godinës së PD-së. Ndërkohë 11 të tjerë ishin persona që përkrahën Bashën dhe iu kundërpërgjigjën sulmeve nga brenda selisë.

Protesta e së shtunës kishte si objektiv marrjen e kontrollit të selisë së Partisë Demokratike nga ana e Berishës dhe mbështetësve të tij. Dhuna e shpërthyer u frenua vetëm nga ndërhyrja e forcave të policisë.

Ngjarjet e 8 janarit bënë që kryesia e PD-së të vendoste përjashtimin e Berishës nga anëtarësia e kësaj force politike. 9 deputetë të tjerë po ashtu u përjashtuan, një masë që u shtri dhe ndaj 19 mbështetësve të ish kryeministrit, anëtarë të Komisionit të Rithemelimit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera