Lajme

Partitë politike kanë afat deri nesër që të ngritin çështje shtesë për datën e zgjedhjeve

Autori: Gazeta inFokus 13:28 | 15 August 2024

Partitë politike në vend deri nesër e kanë afatin e fundit për të dërguar ndonjë çështje shtesë për vendosjen e datës së zgjedhjeve nacionale, pos diskutimeve dhe propozimeve që patën me presidenten Vjosa Osmani javë më parë.

Në një konferencë për media, presidentja Osmani tha se kur t’i marrin të gjitha këto çështje shtesë, nga nesër do të ulet me kabinetin e saj të punojë për vendosjen e datës së zgjedhjes.

“Ju kemi dhënë partive kohë deri në fund të kësaj që të ngritin ndonjë çështje shtesë që nuk e kanë ngritur atë ditë, pra do të kemi kohë nesër deri në fund të orarit nëse kanë vlerësime shtesë dhe pastaj pasi të përfundon orari, ulemi i dëgjoj vlerësimet e kabinetit tim”, ka thënë Osmani.

-Advertisement-

Osmani po ashtu ka bërë të ditur se VV-ja ka dërguar propozimin e saj  për datën e zgjedhjeve.

Po, ne i kemi njoftuar publikun para dy ditësh që kryetari i VV-së, njëkohësisht kryeministri më ka njoftuar me shkrim në lidhje me datën e preferuar të VV”, ka thënë Osmani sot para mediave.

Ditë më parë, e para e shtetit priti në takim kryetarët e partive politike parlamentare për konsultimin për caktimin e datës së zgjedhjeve. Presidentja Osmani bëri të ditur se sipas Ligjit, janë katër data, 26 janari, 2, 9 dhe 16 shkurti, pasi parashihet që ato të mbahen të dielave.

“Sipas Ligjit, janë katër data për zgjedhje, 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti, duke qenë që e parasheh Ligji vetëm të dielave. Diskutimi ishte vetëm në kontekst të këtyre datave. Nuk kishte insistim të tepërt, kishte preferenca. Disa parti preferojnë 26 janarin, disa të tjera 9 shkurtin, dhe 16 shkurtin, dhe kishte nga ato që s’kishte preferencë, se cilado datë ju përshtatej”, kishte deklaruar Osmani pas takimit.

Pas takimit, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi bëri të ditur se Osmanit i ka propozuar 26 janarin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të vitit 2025.

Ashtu si PDK, edhe LDK-ja e ka parë më të përshtatshëm 26 janarin për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve të rregullta.

Propozimi i njëjtë për datë erdhi edhe nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Sipas tij, 26 janari është data e parë në përputhje me afatet ligjore./

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera