Fokus

Partitë ende nuk i kanë gati planet

Autori: Sylejman Sylejmani 19:38 | 09 September 2019

Partitë politike herët e kanë nisur fushatën për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Mirëpo, duket se ato akoma nuk janë bërë plotësisht gati për zgjedhje, shkruan Gazeta inFokus.

Shumica prej partive nuk e kanë përgatitur planprogramin, të cilin do ta zbatojnë kur të vinë në pushtet.

-Advertisement-

Ish-deputetja e PDK-së, Blerta Deliu në një prononcim për Gazetën inFokus ka thënë akoma janë duke punuar në hartimin e planprogramit.

“Është në përfundim e sipër, gjatë kësaj jave edhe do të publikohet. Ekspertët janë duke u marrë me trajtimin e pikave veç e veç. Gjatë javës pritet të ketë publikim të programit”, ka theksuar Deliu.
Se ekspertët janë duke punuar e thonë edhe në koalicionin Nisma – AKR.

Vesel Makolli nga Aleanca Kosova e Re ka thënë se zhvillimi ekonomik do të jetë pika kyçe në programin e tyre.
“Jemi duke punu, sot ose nesër i përfundojmë. Dy grupet tona punuese, janë duke kryer punën. Specifikë kryesore sigurisht është zhvillimi ekonomik, asnjë shoqëri nuk mund të shkojë përpara kur nuk ka zhvillim ekonomik edhe këto shtyllat e tjera të shtetit të cilat janë në gjendje të mjerueshme si shëndetësia, arsimi e të tjerat. Gjithashtu edhe për shpërnguljen e të rinjëve, ti sot nuk mund ta ndalësh shpërnguljen e të rinjve, në qoftëse nuk ka zhvillim ekonomik”, deklaron Makolli.

Disa pika të programit, i ka shpalosur Kryetari i Këshillit Kombëtar të partisë Nisma Socialdemokrate, Jakup Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se ky koalicion do të punojë shumë në ndërtimin e një solidariteti të ri në shoqëri, solidaritet sipas tij i mishëruar me një kontratë të re sociale.

“NISMA Socialdemokrate duhet të ndahet qartazi e pa ekuivokë nga politikat e shurdhëta që nuk kanë sy e veshë që t’i dëgjojnë e ti shikojnë drejt në sy hallet dhe kërkesat e shqiptarëve, që s’kanë guxim e as gojë që t’u flasin njerëzve për problemet e përditshmërisë se tyre haptas e çiltas”, ka thënë mes tjerash Krasniqi.

Gjatë gjithë ditës, Gazeta inFokus për këtë çështje ka provuar të marrë një përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje, megjithatë ata kanë qenë të paqasshëm.
E zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi ka thënë për inFokus se ata bashkë me partnerin AAK-në e kanë përfunduar tashmë programin.

“Të mërkurën do të publikohet programi. Ka mbetur të shtypet dhe më pas të publikohet. Deri atëherë nuk dëshirojmë që të tregojmë për pikat e programit, sepse po e ruajmë një mënyrë më të veçantë të prezantimit”, ka thënë Kuçi.

Gjatë së premtes të gjitha partitë kanë kompletuar listat e tyre të kandidatëve për deputetë.
Përveç disa subjekteve, shumica prej tyre kanë larguar nga listat personat me aktakuza. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera