Lajme

Partia e Serbëve të Kosovës tërhiqet nga pjesëmarrja në zgjedhje

Autori: Gazeta inFokus 20:09 | 20 April 2023

Partia e Serbëve të Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 23 prillit, në veri të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur, kryetari i kësaj partie, Aleksandar Jabllanoviq.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ai ka thënë se vendimi për tërheqje është marrë nga kryesia e partisë.

-Advertisement-

Sipas tij, partia e tij po tërhiqet, sepse nuk ka kushte adekuate për mbajtje të zgjedhjeve, si dhe është ankuar për mënyrën se si do të mbahen ato, duke përmendur faktin se do të mbahen në kontejnerë dhe se siguria do të garantohet nga Policia e Kosovës.

Ai ka thënë se nuk ka pasur presion për pjesëmarrje në zgjedhje, ndonëse ka pritur diçka të tillë.

Sipas tij, prej momentit kur ka kandiduar partia e tij, ajo nuk e ka pasur, as mirëkuptimin, dhe as mbështetjen e institucioneve në Prishtinë.

Jabllanoviq u ka bërë thirrje të gjithë përkrahësve që të mos dalin të dielën në zgjedhje.

Kjo parti e ka pasur vetëm një kandidat për kryetar, vetë Jabllanoviqin, dhe 20 kandidatë për asamble komunale të Leposaviqit.

Mirëpo, Valmir Elezi nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky institucion tashmë i ka shtypur fletëvotimet.

I pyetur nëse do të numërohen votat për Partinë e Serbëve të Kosovës, ai ka thënë se “KQZ-ja do t’i publikojë rezultatet për kandidatët e certifikuar.”

Zgjedhjet e jashtëzakonshme po organizohen pasi kryetarët e këtyre komunave – nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, refuzon të marrë pjesë në zgjedhje, me arsyetimin se nuk i janë përmbushur dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Për zgjedhjet për katër kryetarët në veri do të garojnë 10 kandidatë – pas tërheqjes së Jabllanoviqit.

Vetëm një është nga komuniteti serb.

Subjektet në garë janë: Iniciativa qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe një kandidate e pavarur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, që të dalin e të votojnë.

“E di që kjo qëndron në kontrast me thirrjet që vijnë nga kryeqyteti i fqinjit tonë verior. Por, ne nuk kemi informacione, të cilat do të na bëjnë të mendojmë që po përgatiten pengesa, pengime të këtij procesi, përveçse frikësimit mediatik që vjen nga Beogradi zyrtar”.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do ta njohin rezultatin e zgjedhjeve në veri./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut
-Advertisement-

Të tjera