Lajme

Parlamenti i Malit të Zi diskuton për shkarkimin e Abazoviqit

Autori: Gazeta inFokus 11:58 | 03 February 2022

Kuvendi i Malit të Zi sot do të deklarohet lidhur me iniciativën e kryeministrit Zdravko Krivokapiq për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq dhe propozimin për zgjedhjen e ministrit të Financave dhe Mirëqenies Sociale, Millojko Spajiq, për atë post.

Pasi që Kuvendi i Malit të Zi ka 81 deputetë, për këtë shkarkim nevojiten votat e shumicës apo të më shumë se gjysmës së numrit të deputetëve, pra 41 vota.

Që seanca të zhvillohet duhet të jenë të pranishëm së paku 41 deputetë. I njëjti numër votash nevojitet për të futur në rend dite ndryshimin e propozuar.

-Advertisement-

Seanca është planifikuar të zgjasë tri orë.

Është e pasigurt se sa deputetë do të votojnë për shkarkimin e Abazoviqit, nëse votimi ndodh. Për momentin, vetëm Fronti Demokratik pro-Serb (DF) ka njoftuar mbështetje të qartë për shkarkimin.

Nisma e kryeministrit për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Abazoviq u ndërmor pasi Lëvizja Qytetare URA, kryetar i së cilës është Abazoviq, ka paraqitur një mocion mosbesimi kundër Qeverisë, për të cilin Parlamenti do të vendosë më 4 shkurt.

Siç thotë kryeministri në propozimin për shkarkim, më 19 janar, “pas disa muajsh mosmarrëveshje me politikën e Qeverisë, deputetët e Lëvizjes Qytetare URA, së bashku me disa deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe partive të tjera, kanë paraqitur mocionin kundër Qeverisë.

Nënkryetari Abazoviq, si kryetar i URA-s, nuk e kundërshtoi publikisht këtë iniciativë, duke iu bashkuar drejtpërdrejt atyre që punojnë kundër interesave të qytetarëve dhe qëllimeve të krijuara dhe të përcaktuara bashkërisht”, thuhet në propozimin e dorëzuar nga Krivokapiq.

Kryeministri Krivokapiq e quajti konceptin e një qeverie të pakicës si “mashtrim”, të propozuar nga Abazoviqi si një opsion për zgjidhjen e krizës në të cilën u gjend koalicioni fitues i DF, Demokratëve dhe URA-s.

Abazoviqi ka propozuar konceptin e një qeverie të pakicës në të cilën, siç tha më 17 janar, nuk do të ketë vend për DPS-në e presidentit aktual Millo Gjukanoviq, as për DF-në pro-serbe, por ka shtuar se do të donte që këto opsione politike të mbështesin qeverinë e pakicës.

Kërkesat e ndërsjella për shkarkimin e kreut të ekzekutivit në Mal të Zi janë epilogu i krizës disamujore, si ndërmjet Parlamentit dhe Qeverisë, ashtu edhe brenda vetë Qeverisë.

Qeveria e kryeministrit Zdravko Krivokapiq, e afërt meKishën Ortodokse Serbe, e cila ndikoi drejtpërdrejt në zgjedhjen e kryeministrave dhe ministrave, u zgjodh në fillim të dhjetorit 2020 nga DF (Fronti Demokratik), Demokratët dhe Lëvizja URA.

Paralelisht me përpjekjen për zgjidhjen e krizës në institucionet e sistemit, ditët e fundit janë organizuar protesta në disa qytete malazeze, të drejtuara kundër lëvizjes URA dhe zëvendëskryeministrit Abazoviq, por edhe të gjithë atyre që mund të mbështesin konceptin e qeverisë së pakicës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC
-Advertisement-

Të tjera