Sport

Paris SG, askush nuk dëshiron të largohet

Autori: Gazeta inFokus 09:09 | 30 August 2017

Pasi ka shpenzuar mbi 400 milionë euro për blerjen e Neymar, Mbappe dhe Berchiche, e në pritje për të investuar edhe 60 milionë të tjera për një mesfushor, ndoshta për Fabinhon, Parisi duket se hap dyert dhe kthehet në një “outlet”, në përpjekjen për të ulur jo pak “malin” e pagave dhe për të zvogëluar repartin e mbipopulluar të sulmit.

Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga fundi i merkatos, plot 8 lojtarë kanë përfunduar në listën e “të padëshiruarve”, ose thënë me nota më të zbutura, atyre që duhet të largohen. Mes tyre, edhe Di Maria, Draxler apo Pastore.

Një rast i veçantë është ai i brazilianit Lucas, të cilin PSG-ja donte ta përfshinte në tratativën për t’i rrëmbyer Monakos sulmuesin Mbappe, për të ulur disi shumën prej 180 milionë eurosh të kartonit të francezit. Por braziliani kundërshtoi transferimin në Principatë, kjo edhe për shkak të ambicieve të tij për t’u aktivizuar dhe për të rigjetur “Selecao”-n, falë edhe ndihmës së mikut të tij Neymar.

-Advertisement-

Nga i njëjti operacion ishte tërhequr më parë edhe Draxler, i cili mbërriti te parizienët në janar për 40 milionë euro. Gjermani ka deklaruar se ndihet mirë në Paris, edhe pse agjenti i tij duket se po eksploron mundësitë për ta transferuar në Premier League.

Ndryshe nga këta, Di Maria ka qenë i gatshëm prej javësh për t’u larguar, kjo edhe për shkak se u kontaktua që në qershor nga Barcelona, në momentet e para kur kuptoi dëshirën e Neymar për t’u larguar nga Katalunja. Por këtu ndërhyri Messi, e Barça duket se u tërhoq nga argjentinasi i PSG-së, i cili vlerësohet rreth 50 milionë euro, por që trajneri Emery kërkon ta mbajë me çdo kusht.

Në fund ka bërë një “prapakthehu” edhe Pastore, i cili përmes rrjeteve sociale është shprehur se ndihet 100% parizien. Të tre këta emra, bashkë me Lucas dhe Di Marian, janë në pritje për t’u bërë baballarë.

Gjithsesi, pavarësisht dëshirës së Parisit për të larguar disa lojtarë, një problem mbetet edhe fakti që pagat e atyre të vendosur në merkato janë të larta, duke kufizuar blerësit e mundshëm. Ndoshta këta të fundit luajnë edhe lojën, për t’i rrëmbyer asetet parizienëve me çmime shumë më të ulëta se ç’kërkojnë ata.

Deri më tani, Parisi ka mundur të shesë vetëm Matuidin, te Juventusi për 20 milionë euro, plus 10 milionë të tjera në formë bonusi, ndërsa pritet të shesë edhe Aurier te Tottenhami për 25 mln euro plus bonuse.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera