Lajme

Parashkrimi amnistoi kryeparlamentarin, ish-kryetarin e komunës, ministrin e të tjerë gjatë 2023-ës

Autori: Gazeta inFokus 14:18 | 04 January 2024

Parashkrimi i lëndëve është një nga sfidat kryesore me të cilën përballet sistemi i drejtësisë në Kosovë për një periudhë disa vjeçare. E kjo dukuri vazhdoi edhe gjatë vitit 2023.

Edhe pse me planifikime e strategji të ndryshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), çështjet e korrupsionit duhet të trajtohen me prioritet absolut, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në praktikë përgjatë viteve, kjo për shkak se një numër i lëndëve janë vjetërsuar, duke pamundësuar gjykimin meritor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Rasti i ministrit Xhelal Sveçla dhe të tjerëve për vepra të huliganizmit

-Advertisement-

Një prej rasteve që ka arritur parashkrimin gjatë këtij viti, është edhe rasti i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili akuzohej për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale edhe huliganizëm”.

Më 14 mars 2014, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë kundër Dardan Molliqajt, Arsim Maqastenës, Pajtim Havollit, Agron Kabashit, Egzon Azemit, Pajtim Demajt, Xhelal Sveçlës, Frashër Krasniqit, Nol Nushit, Bekim Shkodrës, Afrim Hoxhës, Sami Avdiut dhe Besnik Qelajt, ku secili veç e veç ngarkohej me veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” nga neni 412, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në këtë rast, ku të akuzuar ishin 13 persona, gjykimi ndaj tyre u zhvillua në tri lëndë të ndara penale dhe krejt kjo si rezultat i mungesës herë të njërit, herë tjetrit të akuzuar nëpër shqyrtimet e caktuara gjyqësore.

Seanca e parë ndaj Xhelal Sveçlës dhe të tjerëve ishte caktuar pas 2 mijë e 706 ditëve pas ditës kur iu është ngritur aktakuza se kanë kryer veprime huligane dhe vepra tjera penale. Pra, shqyrtimi i parë fillestar i caktuar nga gjykatësi Eroll Gashi ishte më 10 gusht 2021, saktësisht 8 vjet e 1 muaj e 18 ditë pas kryerjes së veprës. Por, aty kishte munguar Xhelal Sveçla. Kjo seancë dhe të tjerat kishin dështuar shkaku i mungesës së të akuzuarve.

Pas 10 vjetëve apo 3 mijë e 652 ditëve prej ditës kur akuzohen se kanë kryer veprat penale, lënda në fjalë përfundon pa epilog pasi arrihet parashkrimi absolut i veprave që ngarkohen zyrtarët aktualë dhe ish-anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, një pjesë e të cilëve tash janë në krye të pushtetit ekzekutiv, përfshirë ministrin Sveçla.

Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë tri vendime, përmes të cilave ka konstatuar parashkrimin absolut të ndjekjes penale ndaj ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, kryetarit të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, si dhe ndaj Arsim Maqastenës, Pajtim Havollit, Agron Kabashit, Egzon Azemit, Pajtim Demajt, Frashër Krasniqit, Nol Nushit, Bekim Shkodrës, Afrim Hoxhës dhe Sami Avdiut.

Në arsyetimin e vendimit të Themelores, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ndarja e kësaj çështjeje në tri grupe ka ardhur pasi që në çdo shqyrtim fillestar të caktuar nga gjykata ka pasur mungesa të të akuzuarve edhe pse gjykata kishte tentuar t’i sigurojë në tërësi si grup edhe përmes fletarrestit dhe urdhëresave për sjellje me forcë.

Pra, gjykata përmes aktvendimit të marrë më 3 korrik 2023 ka hudhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj Xhelal Sveçlës, Dardan Molliqajt, Arsim Maqastenës, Pajtim Havollit, Agron Kabashit, Frashër Krasniqit dhe Nol Nushit, pasi vepra me të cilën akuzoheshin kishte arritur parashkrimin absolut.

Me aktvendimin e dytë të 3 korrikut 2023 ndaj të akuzuarve Egzon Azemi, Pajtim Demaj dhe Afrim Hoxha, është hudhur poshtë aktakuza e Prokurorisë dhe pushuar procedura penale ndaj tyre, për shkak të parashkrimit.

Ndërkaq, Gjykata për të akuzuarit Bekim Shkodra dhe Sami Avdiu, përmes aktgjykimit të përpiluar më 28 qershor 2023, ka konstatuar se është arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale pasi që kanë kaluar 10 vite nga data kryerjes së veprës penale, andaj është refuzuar akuza.

Ish-kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, iu refuzua akuza korrupsion shkaku i parashkrimit

Me aktakuzën e 7 tetorit 2020, Xhabir Zharku, akuzohej se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kaçanikut, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në ngastrën kadastrale pronë e komunës, e cila iu ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm NN “Çlirimtarët“, me seli në Kaçanik.

Po ashtu, ngarkohej se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Komunale në Kaçanik, në çështjen civile të paditësit NTN “Bardhi” nga Kaçaniku me pronar Bashkim Topojanin kundër të paditurës Komuna e Kaçanikut, për vërtetimin e së drejtës të shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë, kishte urdhëruar avokatin publik të Komunës së Kaçanikut, Fitore Krivanjeva-Daci që të mos ushtrojë ankesë kundër aktgjykimit.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Ferizaj, më 16 janar 2023 për shkak të parashkrimit, kishte refuzuar aktakuzën ndaj Zharkut, pasi trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ibrahim Idrizi, kishte bërë ricilësimin e veprave penale sepse veprat në akuzë janë kryer në vitet 2008-2010 me Kodin e Përkohshëm. Andaj, trupi gjykues kishte vendosur me Kodin më të favorshëm bazuar në dispozitat e Kodit.

Aktgjykimin refuzues ndaj tij, për shkak të parashkrimit, e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Kryetarit të Kuvendit i parashkruhet një vepër penale

Kryetarit aktual të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë 2023-ës i është parashkruar vepra penale “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, në gjykimin e hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

Në aktakuzë, thuhet se në seancën e Kuvendit të Kosovës të 10 gushtit 2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë. Në këtë rast, ai akuzohet edhe për veprën penale “Përdorim i armës”.

Në seancën e 25 tetorit 2023, gjykatësja Edita Çanta ka konstatuar se ekzistojnë rrethana që pengojnë ndjekjen penale për pikën e dytë të aktakuzës, pra për veprën penale “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

Kjo pasi sipas saj, për këtë vepër penale është paraparë dënim me burgim prej 3 muaj deri në 3 vjet dhe ndjekja penale për këtë vepër ka filluar më 10 gusht 2016 dhe që nga kjo kohë ka kaluar dyfishi i ndjekjes penale, andaj gjykata do të marrë aktgjykim në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor për këtë vepër penale.

Dy rastet ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Bujar Nerjovaj

Në vitin 2023, parashkrimin e ka arritur edhe lënda ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Bujar Nerjovaj, të cilit i ishte ngritur aktakuza në vitin 2018.

Nerjovaj akuzohej se në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Po ashtu, Prokuroria pretendonte se Nerjovaj i kishte shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit në shumën prej 36 mijë e 143 euro.

Gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar Nerjovajn me 6 muaj burgim me kusht, më 3 qershor 2019. Mirëpo, Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim. Rasti ishte gjykuar nga kryetari trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prizren, gjykatësi Xheladin Osmani.

Po ashtu, Bujar Nerjovaj ngarkohej edhe me një akuzë të ngritur më 31 dhjetor 2019, me të cilën pretendohej se dëmi i shkaktuar ishte 104 mijë e 674 euro e 61 centë. Edhe në këtë rast, rezulton se vepra ka arritur parashkrimin.

Nerjovaj akuzohej për korrupsion së bashku me ish-zyrtarët tjerë komunalë Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu, Visar Islamaj, Bashkim Krasniqi dhe me ish-kryeshefin ekzekutiv i Infrakos-it, Agron Thaçi.

Në këtë çështje, përveç Nevrovajt që vepra i arrinte parashkrimin në prill të vitit 2023, lënda iu vjetërsohej edhe Agron Thaqit e Naim Avdylit, ku për këtë të fundit gjykata kishte marrë aktgjykim refuzues, pasi më 16 janar Prokuroria ishte tërhequr nga ndjekja penale për të.

Por, më 20 janar 2023 gjykata e shkallës së parë i kishte liruar nga akuza Nerjovajn dhe të akuzuarit e tjerë. Kryetare e trupit gjykues në këtë rast ishte gjykatësja Teuta Krusha.

Të akuzuarës në rastin për mashtrim me subvencione i parashkruhet një vepër

Më 31 maj 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte aprovuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarës Zoja Krasniqi, avokatit Jeton Maqedonci, që të pushohet procedura penale për veprën penale “Konflikt interesi” pasi që ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Të akuzuar për mashtrim me subvencione, në këtë rast janë edhe Albulena Rama-Gashi, Armend Gashi, Valon Bllacaku, Arjeta Koraqi dhe Dafina Qela. Ndërsa, gjykimi është duke vazhduar në këtë rast dhe kryetare e trupit gjykues është gjykatësja Fatime Dermaku.

Rasti ndaj ish-drejtorit të Shëndetit dhe Mirëqenies së kafshëve në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, Shaban Gallopeni

Më aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28 qershor 2016, thuhet se i akuzuari Gallopeni ka keqpërdorur detyrën duke i lejuar NTP “Malësia” nga Gjilani, importimin e gjedheve (femra) nga Serbia, duke vepruar kështu në kundërshtim me nenin 2, pika 1 të vendimit Ref.ZM/46/08 të 9 prillit 2008, të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sipas të cilit në territorin e Kosovës mund të importohen nga Serbia vetëm kafshë të gjalla të llojit gjedhit (meshkuj) të cilët janë nën 30 muaj.

Gallopeni akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Mirëpo, kjo lëndë ka arritur parashkrimin në dhjetor të vitit 2023.

Sipas monitorimit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, seanca e caktuar më 10 shkurt 2023, kishte dështuar pasi sipas mbrojtësit të tij, avokatit Alban Makolli, i akuzuari jeton dhe punon në SHBA. Kurse, kryetari i trupit gjykues Agim Kuçi kishte thënë se është lëshuar urdhëresë për stacionin Policor në Therandë më 25 janar 2023, për verifikimin e vendndodhjes së tij, dhe se deri në ato momente nuk kanë pranuar asnjë përgjigje lidhur me këtë urdhëresë.

Në dhjetor 2023, lënda ndaj Gallopenit ka arritur parashkrimin, pasi janë mbushur 10 vjet prej kur akuzohet se ka kryer veprën penale.

Rasti i zyrtarit të gjendjes civile në Fushë Kosovë, Latif Ibrahimi

Më 3 shkurt 2023, Latif Ibrahimi ishte liruar nga njëra akuzë (e ngritur më 13 nëntor 2018) për korrupsion, kurse për aktakuzën e ngritur më 30 nëntor 2018, po ashtu për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, i ishte vjetërsuar lënda.

Shpallja e aktgjykimit ishte bërë nga kryetari i trupi gjykues, Kushtrim Shyti.

Sipas aktakuzës së 13 nëntorit 2018, Ibrahimi në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Fushë-Kosovë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për vete apo tjetrin. Në të dy aktakuzat, Latifi akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Rastet që rrezikojnë të parashkruhen gjatë vitit 2024 dhe viteve në vazhdim

Në lidhje me çështjen e parashkrimit, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) më 26 dhjetor 2023, ka publikuar raportin me titull “Amnistimi i kriminalitetit përmes parashkrimit”, ku ndër të tjera, përveç rasteve që ishin parashkruar gjatë vitit 2023, janë të përfshira edhe shumë raste të tjera që rrezikojnë të parashkruhen në vitet 2024, 2025 dhe 2026.

Në këtë raport, IKD thekson se në vitin 2024 rrezikojnë të parashkruhen rastet e 20 të akuzuarve, e që përfshijnë 14 raste gjyqësore. Ndërsa në tri vitet e ardhshme, rrezikojnë të parashkruhen rastet e 100 të akuzuarve për korrupsion.

Prej atyre shumë rasteve që rrezikojnë të parashkruhen gjatë këtyre viteve, disa prej tyre janë edhe raste të politikanëve.

Në vitin 2024, rrezikojnë të parashkruhen edhe rastet ndaj deputetëve Valon Ramadani, Fitore Pacolli-Dalipi, Salih Zyba dhe Drita Millakut, të cilët akuzohen për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Në vitin 2024, po ashtu rrezikon të parashkruhet edhe rasti ndaj deputetit Xhavit Halitit, i cili akuzohet për veprën penale “Sulm”.

Ndërsa në vitin 2025, rrezikojnë të parashkruhen rastet e deputetes Time Kadrijaj për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar të armëve” dhe rasti i Salih Zybës për veprën “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Ndërkaq, në 2026, rrezikon të arrijë parashkrimin lënda ndaj Albulena Haxhiut dhe Pal Lekajt për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera