Lajme

Paralajmërohet auditim nga shteti për kontratën milonëshe me Limakun

Autori: Gazeta inFokus 10:23 | 30 March 2019

Kontrata për Zgjatjen e Pistës të Aeroportit pritet të auditohet nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Ndonëse kjo kontratë nuk është raportuar në KRPP nga Ministria e Infrastrukturës, siç kërkohet me ligj, auditorët nuk do ta dërgojnë lëndën në prokurori për fshehje të informatave. Në vend të kësaj, ZKA paralajmëron auditimin e kontratës.

Për ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj, kontrata për Zgjatjen e Pistës të Aeroportit, nuk ka asnjë problem me ligjin. Por kjo kontratë, e cila parasheh investimin e 33.6 milionë eurove nga taksat e qytetarëve në Aeroport, pritet të auditohet nga auditorët e shtetit.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, ka paralajmëruar auditimin e kësaj kontrate, e cila ka ngritur shumë dyshime në opinionin publik.

-Advertisement-

Në bazë të Ligjit për Prokurimin Publik, secila kontratë duhet të raportohet nga autoritetet kontraktuese në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP). Mirëpo ky rregull nuk është zbatuar tek Kontrata për Zgjatjen e Pistës së Aeroportit.

Këtë e kishte pranuar vetë Zyra Kombëare e Auditimit, në një përgjigje të mëhershme për Buletinin Ekonomik.

“Kontrata në fjalë nuk figuron në raportin e kontratave të nënshkruara, të cilin e kemi marrë nga KRPP. Në raste të tilla, mostrimi për auditim përcaktohet bazuar në raportet e KRPP-së të cilat janë raporte zyrtare”, pati thënë Qendresa Mulaj nga ZKA.

Në rastet kur një kontratë nuk raportohet në KRPP, atëherë Zyra Kombëtare e Auditimit është e obliguar që rastin ta dërgojë në prokurori, për fshehje të informatave. Për këtë punë ZKA ka edhe një memorandum me Prokurorinë e shtetit.

Buletini Ekonomik e ka pyetur ZKA-në se a do ta dërgojë këtë rast në Prokurori.

“Meqenëse rasti në fjalë nuk ka qenë subjekt i auditimit deri më tani, në këtë moment nuk mund të komentojmë pyetjet tuaja. Nëse në auditimet e ardhshme Zyra Kombëtare e Auditimit do të auditojë këtë projekt, gjetjet dhe rekomandimet eventuale do të bëhen publike”, ka thënë Mulaj nga ZKA, duke dhënë shenja të qarta se kjo kontratë do të hyjë në procedurat e auditimit.

Në një përgjigje të mëhershme për Buletinin Ekonomik, Zyra Kombëtare e Auditimit, kishte hedhur dyshime të forta mbi gjithë këtë proces, duke thënë se Ministria e Infrastrukturës asnjëherë nuk ua prezantoi këtë kontratë auditorëve.

Mulaj pati thënë së ekipi i auditorëve ka kryer analiza të përgjithshme dhe bazuar në raportet e kontratave të nënshkruara, të cilat janë marrë në KRPP, Ministria e Infrastrukturës nuk ka raportuar asnjë kontratë me procedurë të negociuar në vitin 2015 e as në vitin 2016. Ndërsa në vitin 2017 ka raportuar 14 kontrata për mirëmbajtje të rrugëve. Por në mesin e tyre, sipas Mulajt, nuk kishte figuruar askund kontrata për Zgjatjen e Pistës së Aeroportit.

Kjo deklaratë nga Zyra e Auditorit rrit edhe më shumë dyshimet mbi këtë investim që kap vlerën e 33.6 milionë eurove dhe i cili, i tëri do të jetë nga paratë e taksapaguesve kosovarë, ani pse me Aeroportin nga viti 2010 menaxhon një kompani private.

Ndonëse bëhet fjalë për një investim publik, i gjithë procesi deri të nënshkrimi i kësaj kontrate është zhvilluar në mënyrë krejtësisht jo transparente. Përveç që u mbajt sekret në kohën e nënshkrimit, kontrata nuk është publikuar as sot e kësaj dite nga Ministria Infrastrukturës e cila është palë nënshkruese e saj.

Buletini Ekonomik ka siguruar një kopje të kësaj kontrate, ku shpalosen në detaje të gjitha obligimet që ka marrë Qeveria e Kosovës për përmbushjen e këtij investimi prej 33.6 milionë euro me paratë e taksapaguesve kosovarë.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Limak Kosovo Airport J.S.C janë pajtuar për të përmbyllur një kontratë publike për punë si me poshtë: “Zgjatjen e pistës, ngritjes së sistemit instrumental të aterrimit dhe sistemit të radiokomunikimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari”, thuhet në hyrje të kontratës.

Kontrata ka për qëllim zgjatjen e pistës së Aeroportit për 500 metra, si dhe blerjen e disa pajisjeve tjera që nevojiten për ngritje të sistemit të aterrimit dhe radiokomunikimit.

Buletini Ekonomik ka kërkuar sqarime në Ministrinë e Infrastrukturës e cila është pala nënshkruese si dhe nga Ministria e Financave, por nga asnjëra prej tyre ende nuk ka marrë përgjigje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera