Lajme

Paralajmërimi i Kurtit për pako ndihmëse, ekspertët tregojnë se ku duhet të jetë fokusi

Autori: Gazeta inFokus 08:36 | 28 October 2021

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se shumë shpejt do të dalin me nja pako të re ndihmëse që të tejkalohen vështirësitë financiare për qytetarët në kohë të ngritjes së çmimeve.

Por, kryeministri Kurti nuk ka bërë të ditura në detaje se ku do të fokusohet kjo pako e masave dhe se kush të përfitojë nga kjo.

Lidhur me paralajmërimin e Kurtit për pakon ndihmëse për qytetarët, për FrontOnline kanë folur njohësit e ekonomisë.

-Advertisement-

Ata kanë treguar se ku duhet të jetë fokusi i Qeverisë sa i përket kësaj çështjeje.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në një prononcim për FrontOnline ka cekur disa pika që mund të ndikonin

“Një normë e reduktuar e TVSh-së për artikujt bazë edhe një pjesë që lidhet me akcizën sidomos për energjinë, gazin, për naftën me të cilën ne furnizohemi janë disa prej masave të shpejta të cilat do të mund të ndikonin në atë pjesën që prek nga rritja e çmimeve. Duhet me intervenu në pjesën e zinxhirit ku mund të ketë ndikim, normalisht që Qeveria duhet me mendu edhe për shtresat sociale, ajo është një pjesë për të cilën ata duhet me mendu”, ka deklaruar Rukiqi.

Por, ka thënë se duhet të shikohet që të ketë përkrahje edhe për prodhuesit vendor.

“E treta mund të jetë edhe një përkrahje për pjesën e prodhimit vendor në mënyrë që të shikojmë me rrit kapacitet dhe prodhim brenda vendit”, ka shtuar kryetari, Rukiqi, për FrontOnline.

Njëjtë mendon edhe njohësi i ekonomisë, Musa Limani.

“Duhet të ul TVSh-në te produktet elementare ushqimore”, është shprehur Limani, për FrontOnline.

Sipas tij, Qeveria urgjentisht duhet të ndërmerr edhe një masë tjetër.

“Një çështje që Qeveria duhet ta bëjë urgjentisht është rritja e pagës minimale për arsye se me vite të tëra nuk janë ngrit, inflacionin që disa vite e kemi prezent kurse pagat thuaj se ka disa vite të cilat kanë mbet të njëjta. Unë mendoj se kjo është një ndër masat më urgjente që duhet ta ndërmarrë Sindikata bashkë me Qeverinë për me mujt me rrit pagën minimale të cilën gjatë fushatës e ka paralajmëru e premtu edhe vet kryeministri që do të jetë 250 euro”, ka deklaruar Limani.

Por, ka thënë se duhet të ketë edhe një skemë sociale për familjet që kanë të ardhura të ulëta.

“Duhet të formohet një skemë sociale për arsye se një pjesë e madhe e popullsisë që kanë të ardhura të ulëta do të kalojnë në problem social për arsye se çmimet të cilat tani janë aktualisht në Kosovë, buxheti jonë nuk mundet t’i përballojë prandaj popullata do të përballet me probleme sociale të cilat normalisht Qeveria nuk do të jetë indiferente ndaj tyre dhe me siguri do të marrin masa urgjente për të sanuar këtë gjendje”, ka shtuar Limani për Front Online.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), norma vjetore e inflacionit në muajin shtator ka arritur në 4.9 për qind.

Agjencia thotë se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera