Sport

Paradoksi i madh / Katër skuadra angleze në finale, asnjë trajner britanik

Autori: Gazeta inFokus 11:02 | 10 May 2019

Klopp, Pochettino, Emery, Sarri. Ata janë katër trajnerët, që do të luajnë dy finalet e garave madhore europiane të këtij sezoni për klubet. Katër skuadra angleze, por pa qenë vetë anglezët. Katër prej klubeve të Premier League do të diskutojnë trofetë e Champions-it dhe Ligës së Europës, çka e shton krenarinë e britanikëve, sepse do të flitet vetëm “anglisht” në Madrid dhe Baku.

E megjithatë, ka një paradoks, që e klipson disi këtë sukses të jashtëzakonshëm. Katër skuadra angleze në finale, por asnjë trajner anglez. Ky fakt është evidentuar sidomos nga mediat italiane, ndoshta deri diku edhe xheloze, por është i vërtetë. Në finale do të jetë Chelsea i një italiani si Maurizzio Sarri, Liverpool i një gjermani si Jurgen Klopp, Arsenali i një spanjolli si Unai Emery dhe Tottenham i një argjentinasi si Mauricio Pochettino.

Edhe në rastin e sukseseve të mundshme të Manchester City apo Manchester United, në çdo rast, gjërat nuk do të kishin ndryshuar në këtë drejtim, pasi edhe ato skuadra drejtohen nga trajnerë që vijnë nga jashtë Anglisë: Guardiola në njërën anë, Solskjaer në anën tjetër. Në fakt, në korrik të vitit të kaluar, vetëm një trajner britanik ishte prezent në fillim të garave europiane, në krye të një ekipi anglez: Sean Dyche, trajneri i Burnley.

-Advertisement-

Ai u shkarkua në ndeshjet e Ligës së Europës, pas disfatës me Olympiacos. Trajnerët anglezë duhet të ndihen keq në këto momente. Në Europë, ata nuk po bien në sy, por edhe në Angli, trajnerët lokalë nuk shkëlqejnë në aspektin e fitoreve. Që nga themelimi i Premier League (1992-1993), asnjë trajner anglez nuk e ka fituar kurrë titullin. Të vetmit britanikë, që patën sukses, ishin dy skcezë: Sir Alex Ferguson te Manchester United dhe Kenny Dalglish me Blackburn.

Të gjithë fituesit e tjerë kanë ardhur nga jashtë Mbretërisë së Bashkuar. Anglezi i fundit që ka triumfuar në kampionatin e vendit ishte Wilkinson me Leeds, në vitin 1992. Pjesa tjetër, për t’ua kujtuar atyre që po naltojnë aktualisht sloganin e famshëm “Futbolli po kthehet në shtëpi”, ishin trajnerë jobritanikë. Dhe, të paktën, këtë sezon, ata arritën ta meritojnë besimin plotësisht.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera