Papunësia: Profesion i “detyrueshëm” në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus
22:29 | 27 May 2025
Në një shoqëri si e jona, ku puna lidhet ngushtë me identitetin individual dhe social, mungesa e saj prodhon më shumë se sfida ekonomike – ajo sjell pasoja psiko-sociale. Papunësia nuk përfaqëson vetëm mungesën e të ardhurave, por edhe humbjen e funksionit të individit brenda shoqërisë.
Në rastin tonë, në Kosovë, papunësia ka rrënjët e saj në periudha kyçe historike. Gjatë ish-Jugosllavisë, Kosova konsiderohej një nga njësitë më të pazhvilluara, me numër të lartë papunësie dhe emigrim të fuqisë punëtore. Pas viteve ’90, me shpërbërjen e federatës dhe konfliktin e armatosur, infrastruktura u dëmtua dhe u prish sistemi i punësimit.
Pas vitit 1999, me vendosjen e administratës ndërkombëtare dhe përpjekjejeve për rindërtim, tregu i punës mbeti i pabarabartë. Procesi i privatizimit, rezultoi me humbje të vendeve të punës dhe krijoi pasiguri për punëtorët. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2008 shkalla e papunësisë arriti në 42.7%.
As sektori privat nuk arriti të ofronte stabilitet në punësim; përkundrazi, u rrit puna jnformale, pra, pa kontrata. Në vitin 2019, Komisioni Evropian raportoi se Kosova kishte nivelin më të lartë të punësimit joformal në Ballkanin Perëndimor – mbi 35%. Një raport i Iniciativës Kosovare për Stabilitet tregon se 57.5% e bizneseve paguajnë punëtorët me para në dorë, pa deklarim formal.
Mungesa e kontratave të punës cenon drejtpërdrejt të drejtat e punëtorëve. Pa kontrata, punëtorët janë të pambrojtur ligjërisht dhe të ekspozuar ndaj kushteve të pafavorshme: paga të ulëta, orare të gjata, dhe mungesë mbrojtjeje për pushimet ligjore.
Gratë, në veçanti, janë prekur më rëndë nga papunësia dhe puna joformale. Norma e papunësisë te gratë është 23.9%, krahasuar me 15.3% te burrat. Mungesa e raportimeve në Inspektoratin e Punës lidhet me frikën e humbjes së punës dhe pamundësinë për të vërtetuar marrëdhëniet e punës.
Gjatë vitit 2021, shkalla e papunësisë në Kosovë ra në 17.7%, një tregues që, në dukje, sinjalizon përmirësim. Megjithatë, ekspertët bien dakord se kjo ulje nuk reflekton zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, por është rezultat i emigrimit masiv dhe zgjerimit të sektorit joformal.
Sipas profesorit Berim Ramosaj nga Universiteti i Prishtinës, emigrimi ndikoi më shumë në uljen e papunësisë sesa krijimi i vendeve të reja të punës.
“Ikja është e përqendruar te kontingjenti i punës, respektivisht te personat që janë në moshë pune dhe kanë vullnet që të hyjnë në tregun e punës”, thotë Ramosaj për Radion Evropa e Lirë.
Nderkaq, vendet e punës që mbeten bosh nuk janë tërheqëse për shkak të kushteve të pafavorshme dhe mungesës së kontratave; kështu, vendet e lira nuk përkthehen në punësim të brendshëm.
Papunësia në Kosovë është rezultat i një kombinimi faktorësh, që përfshijnë mungesën e zhvillimit ekonomik, sistemin e dobët arsimor, mungesën e investitorëve të huaj dhe nivelin e lartë të korrupsionit. Ekonomia vendore nuk arrin të gjenerojë vende të mjaftueshme pune, ndërsa shumë të rinjë diplomojnë në fusha që nuk përputhen me kërkesat reale të tregut.
Një faktor tjetër thelbësor është mungesa e investimeve të huaja, të cilat do të mund të sillnin zhvillim industrial dhe vende të reja pune. Investitorët e huaj hezitojnë të investojnë në Kosovë për shkak të pasigurisë politike, mungesës së sundimit të ligjit dhe korrupsionit të lartë.
Nga ana tjetër, korrupsioni është ndër pengesat më të mëdha për zhvillimin ekonomik dhe punësimin në Kosovë. Ai vjen në forma të ndryshme, si emërimet partiake në pozita kyçe, keqpërdorimi i fondeve publike dhe favorizimi i kompanive apo individëve të lidhur me politikën në tenderë apo projekte shtetërore. Një ambient i tillë jo transparent dhe i padrejtë krijon mosbesim të thellë te qytetarët dhe te investitorët e huaj, duke ndikuar drejtpërdrejtë në ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe mungesën e mundësive për punësim të drejtë dhe të barabartë. Kur pushteti përdoret për përfitime personale në vend të interesit publik, prioritetet e shtetit nuk shkojnë drejt zhvillimit ekonomik apo krijimit të vendeve të punës, por drejt ruajtjes së interesave të grupeve të caktuara. Si rezultat, shumë të rinjë largohen nga vendi, ndërsa ata që mbesin, përballen me një sistem të mbyllur e të padrejtë që u ndalon mundësinë për një të ardhme të qëndrueshme.
Të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës tregojnë se janë identifikuar rreth 7,000 punëtorë të padeklaruar, ndërkohë që numri real pritet të jetë më i lartë. Nga marsi 2021 deri në nëntor 2023 janë regjistruar rreth 34,000 të punësuar të rinj, ndërsa numri i të papunëve ka rënë me rreth 80,000. Kjo diferencë vlereson se shumë qytetarë janë larguar nga vendi dhe nuk figurojnë më si aktivë apo joaktivë.
Zyrtarë ndërkombëtarë, si Jane Sprouster nga Banka Botërore, theksojnë nevojën për një model ekonomik më konkurrues. Sipas Bankës Botërore, Kosova mbetet ndër vendet më të varfra në rajon, me një përqindje varfërie prej 19.2%. Papunësia në Kosovë nuk është thjesht një statistikë që ndryshon tremujor pas tremujori; ajo reflekton historinë, politikat e dështuara, dhe gjendjen ekonomike të vendit.
Pa një vizion të qartë dhe reforma të guximshme – nga arsimimi dhe politikat fiskale te barazia gjinore dhe formalizimi i punës – papunësia do stagnojë në të njejtin vend. Vetëm duke adresuar çdo dimension të këtij fenomeni mund të mbushim boshllëkun që krijon, të fuqizojmë individët dhe komunitetet, dhe të ndërtojmë një ekonomi ku puna është jo vetëm mjet mbijetese, por themeli i dinjitetit dhe barazisë.
Edonesa Hoti
Prishtinë, 2025

Të tjera
-
Moti nesër dhe ditëve në vazhdim
Të Martën në Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe mjaft i nxehtë. Temperat...
-
Katari rihap hapsirën ajrore pas sulmeve të Iranit
Hapësira ajrore e Katarit është rihapur pasi u mbyll për shkak të sulmit me r...
-
Rutte: NATO do ta pesëfishojë mbrojtjen ajrore dhe do të blejë 1 mijë tanke
Shefi i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar se objektivi i ri i NATO-s është ta p...
-
Gjykata Supreme i lejon Trumpit të rifillojë deportimin e emigrantëve në vendet e treta
Gjykata Supreme vendosi të hënën se administrata Trump mund të rifillojë depo...
-
Po fliste për sulmin e SHBA në Iran, sekretari amerikan i Mbrojtjes ‘ngatërron’ Teheranin me Tiranën
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth teksa po fliste për sulmin e SHB...
-
Mustafa: Blloku A3 sot ka dalë jashtë funksionit, me gjasë reale për t’u mos u rifunksionalizuar më kurrë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka alarmuar lidhur...
-
Trump: Irani na njoftoi para sulmit ndaj bazës në Katar – koha për paqe
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Irani i njoftoi Shtetet e Bash...
-
Temperaturat nesër deri në 34 gradë
Të martën parashikohet të mbajë mot shumë i nxehtë, i karakterizuar me diell ...
-
Khamenei shfaq flamurin amerikan duke u djegur: S’i nënshtrohemi askujt
Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka deklaruar se nuk pranojnë ...
-
Kallas: BE do të rishikojë pezullimin e partneritetit me Izraelin për shkak të situatës në Gaza
Nëse Izraeli nuk e “përmirëson situatën” në Gaza, BE-ja do të diskutojë “masa...
-
Trump flet në detaje për sulmin e Iranit: Përgjigje e dobët e tyre, jam i kënaqur që asnjë amerikan s’u lëndua
Presidenti amerikan Donald Trump tha se Irani dha një përgjigje te dobët si r...
-
Sondazhi i UBO-së: 47% të pakënaqur me punën e Qeverisë Kurti
Në emisionin “Debat Plus” të moderuar nga Ermal Panduri, janë prezantuar të d...