Ekonomi

Papunësia e të rinjve në Ballkan, tre herë më e lartë se mesatarja e BE-së

Autori: Gazeta inFokus 09:14 | 26 May 2017

Papunësia e të rinjve në shtetet e Ballkanit perëndimor, është tre herë më e lartë se mesatarja e shteteve të Bashkimit Evropian, ndërsa rritja e ulët ekonomike e shteteve të rajonit, nuk është e mjaftueshme që të krijohen vende të reja pune, shkruan gazeta KOHA.

Këto, ndër të tjera, janë vërejtjet kryesore të raportit të fundit të Bankës Botërore, lidhur me tregun e punës në shtetet e Ballkanit perëndimor. Raporti analizon të dhënat statistikore për Maqedoninë, Shqipërinë, Kosovën, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë dhe është përgatitur së bashku me Institutin e Vjenës për studime ndërkombëtare ekonomike.

“Papunësia e të rinjve prej 50 për qind në vitin 2014 shënon rënie në 48 për qind në 2015-ën, ndërsa të dhënat e para për vitin 2016 tregojnë vazhdim të trendit të rënies. Megjithatë, papunësia e të rinjve në rajon akoma është e lartë në raport me 17.3 për qind sa është në Bashkimin Evropian. Të rinjtë me arsimim të ulët janë humbësit më të mëdhenj në tregun e punës në rajon në gjashtë vitet e fundit. Gjithashtu, papunësia afatgjate e të rinjve si dhe punësimi joformal mbeten një sfidë e rëndësishme në rajon”, theksohet më tej në raport.

-Advertisement-

Raporti që mbështetet mbi të dhëna zyrtare të siguruara nga zyrat e statistikës të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe nga Eurostat për të dhënat e vendeve të krahasueshme të BE-së, më tej nënvizon se shkalla e lartë e papunësisë së të rinjve prej 57.6 për qind në Kosovë, 54.3 për qind në Bosnje e Hercegovinë dhe 50 për qind në Maqedoni, është tregues se të rinjtë ballafaqohen me situate kritikë në tregun e punës në Ballkanin perëndimor. Njëherazi edhe shtetet e tjera kanë përqindje të lartë të papunësisë të së rinjve prej afër 40 për qind.

Nga ana tjetër, papunësia në përgjithësi në shtetet e rajonit është zvogëluar, por akoma me 21 për qind është e lartë. Gjithashtu, 40 për qind e popullatës së aftë për punë është joaktive në tregun e punës, që është shkallë shumë e lartë në raport me shtetet fqinje anëtare të BE-së, me ç’rast ky jo-aktivitet është sidomos i lartë tek gratë dhe personat më pak të arsimuar.

Rajoni i Ballkanit perëndimor ndërmjet viteve 2010 dhe 2016 ka hapur 300 mijë vende të reja pune, që paraqet rritje të punësimit për gjashtë për qind, por megjithatë nevojitet të rritet më shumë shkalla e punësimit që do të ndikojë më fuqishëm në papunësinë e lartë dhe jo aktivitetin në tregun e punës, gjegjësisht mos-kërkimin aktiv të një vendi të ri të punës.

Gjithashtu, punësimi u rrit ndjeshëm për personat me diplomë të arsimit të lartë, ndërsa grupet që nuk kanë përfituar nga rimëkëmbja modeste e punësimit janë personat me kualifikim të ulët dhe në veçanti të rinjtë me arsim të pakët. Raporti i Bankës thotë se, gjatë kësaj periudhe gjashtëvjeçare, numri i vendeve të krijuara të punës rishtazi për gratë ishte më i lartë se sa për meshkujt. Raporti është i pari në serinë e tij që do të rifreskohet çdo vit, sipas të dhënave të integruara të bazës së të dhënave për tregun rajonal të punës.

Ai është bërë i mundur nga një bazë e re të dhënash, e cila ofron lehtësisht të dhëna për tregun rajonal të punës për Ballkanin Perëndimor. Kjo bazë të dhënash lejon për herë të parë të llogariten tregues për tregun e punës në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mundëson krahasimin direkt të këtyre vendeve mes tyre, si dhe me vende të caktuara të krahasueshme të BE-së. Më tej, përcjell KOHA, raporti konstaton se vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë nevojë për shkallë shumë më të larta të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto për të arritur rritje pozitive të punësimit. Raporti konstaton se sfida për tregun e punës në Ballkanin perëndimor është strukturore dhe se rritja e tanishme ekonomike nuk mund të krijojë vende të reja të punës.

Ndryshe, analistët ekonomik vlerësojnë se ekonomitë e rajonit akoma ndikohen nga zhvillimet negative politike, si dhe ndjesia për nivel të lartë të korrupsionit. Zhvillimin e biznesit e pengojnë edhe konkurrenca e dobët e ekonomive vendore, barrierat administrative për hapjen e biznesit privat, si dhe pjesëmarrja akoma e lartë e shtetit në ekonomi dhe biznes. Nuk ndihmojnë në këtë drejtim as jostabiliteti politik brenda rajonit. Bile, raporti i Komitetit të Ekonomisë dhe Sigurisë së Asamblesë Parlamentare të NATO-s, “Tranzicioni ekonomik në Ballkanin Perëndimor”, i publikuar në muajin prill të këtij viti, shton se përveç çështjeve të brendshme, Ballkani Perëndimor po përballet me një shkallë të lartë të papunësisë, sidomos në mesin e të rinjve, e cila i bën ata “më të prekshëm nga demagogjia dhe keqinformimi”.

Sa për gjendjen e demokracisë, raporti vë në dukje se niveli i zhvillimit demokratik në Ballkanin Perëndimor ka bërë hapa pas gjashtë vitet e fundit. Sundimi i ligjit është dëmtuar nga elita politike, e cila është duke përdorur këto leva për përfitime personale.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera