Fokus

Palestra e Shtimes lihet shkret edhe pse janë investuar dy milionë euro

Autori: Anita Krasniqi 14:37 | 31 January 2019

Tash e dhjetë vjet në Shtime ka filluar të ndërtohet palestra e sportit.

Por ende pa u funksionalizuar, objekti ka filluar të shkatërrohet, shkruan gazeta inFokus.

Ndonëse tash e tre vite është premtuar nga kryetari Naim Ismajli që palestra do të inaugurohet një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

-Advertisement-

E më së shumti nga mungesa e një objekti të tillë po pësojnë sportistët.

Klubi i hendbollit “Vjosa” në Shtime, po përballet me plot probleme për shkak të mungesës së palestrës.

Avni Duraku, përfaqësues i këtij klubi, për gazetën inFokus ka thënë se në mungesë të një salle sportive stërvitjet i zhvillojnë në shkolla.

Sportistet udhëtojnë deri te palestra e sporteve në Ferizaj për të zhvilluar lojën.

“Për momentin jemi duke i kryer ushtrimet në palestra të shkollave fillore dhe të mesme, edhe ato janë shumë të vogla. Deri diku po i përfundojmë se kushte janë shumë të vështirë. Për ushtrime dhe ndeshje ne detyrohemi të shkojmë në Ferizaj që t’i mbajmë ato. Nëse do të funksionalizohet, siç kanë thënë drejtuesit e komunës, do të ishte e mirëseardhur për klubet e komunës sonë”, ka thënë Duraku.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes në Shtime, Adnan Ademi.

Ai ka thënë se mungesa e pranisë së sigurimit enda pa u inaguruar, objekti ka pësuar dëmtime në masë të madhe dhe në vend se të funksionalizohet, ai po shkatërrohet.

“Në kohën kur sportistët shqiptarë arrijnë kulminacionin e suksesit në arena ndërkombëtare, të rinjtë tanë nuk kanë as vend ku t’a dëshmojnë talentin e tyre, e kështu ne humbëm dhjetë gjenerata duke u ballafaquar me probleme elementare e duke u mëshiruar nga komuna vetëm më një mirënjohje si sportist i vitit”, ka thënë Ademi.

E krejt kjo vonesë sipas zyrtarëve komunal ka të bëjë me një kontest gjyqësorë.

Gazmend Ademaj, zyrtar për informim në këtë komunë, për gazetën inFokus ka thënë se për shkak të  kontestit gjyqësor në mes të MKRS dhe Kompanisë “Prishtina” ka vonesa në funksionalizimin e palestrës sportive.

“Palestra Sportive në Komunën e Shtimes, është projekt i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Komuna jonë nuk ka pasur probleme me gjykatën, por Ministria, në mungesë të rojës dhe pronësisë së saj që nuk e kishte Komuna por MKRS-ja kanë qenë disa dëmtime në objekt, por tani janë evituar”, ka thënë Ademaj.

Ndërsa Iber Alaj, drejtor në departamentin e sportit në MKRS, për gazetën inFokus ka thënë se së shpejti pritet të funksionalizohet qendra e sporteve.

“Ende jemi në janar dhe nuk ka kaluar dimri që të funksionalizohet. Duhet të kalojnë në disa procedura, komisionin e panelit teknik për shembull, Shtimja duhet t’a rregulloj jo ne” ka thënë Alaj.

Projekti për ndërtimin e Palestrës Sportive në Shtime është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në vlerë prej 2 milionë euro. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera