Lajme

Pal Lekaj në udhëtim zyrtar, shtyhet seanca ndaj tij për rastin e 53 milionë eurove

Autori: Gazeta inFokus 11:16 | 16 December 2022

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ndodhet në një udhëtim zyrtar, ndërkaq për këtë është shtyrë seanca e paraparë për të premten, në rastin ku ai dhe tre të tjerë akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në këtë rast, së bashku me Lekajn akuzohen edhe Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mungesën e të akuzuarit Lekaj, e ka arsyetuar mbrojtësi i tij, avokati Musa Damati, i cili e njoftoi gjykatën se i mbrojturi i tij ka dorëzuar dy parashtesa në bazë të së cilave me prova mbështetëse ka arsyetuar dhe ka paralajmërua mungesën e tij në këtë seancë.

-Advertisement-

“Përmes mbrojtësit të tij ka dorëzuar dy parashtresa atë të datës 08 dhe 15 dhjetor 2022, në bazë të cilës me prova mbështetëse ka arsyetuar dhe ka paralajmëruar mungesën e tij nga kjo seancë dhe atë konform kërkesës së subjektit të tij politik për nevoja zyrtare partiake është angazhuar në udhëtim zyrtar në disa qendra evropiane”, ka thënë avokati Damati.

Andaj, i njëjti ka kërkuar nga ana e gjykatës që bazuar në këto rrethana, këtë fakt ta shqyrtoj në mënyrë objektive dhe të vendos lidhur me shtyrjen e kësaj seance.

Lidhur me këtë, prokurori special Dren Paca ia la gjykatës në diskrecion të vendos.

Për shkak se nuk u plotësuan kushtet për mbajtën e kësaj seance, e njëjta është shtyrë ndërsa seancat e radhës u caktuan më 3, 6 dhe 9 shkurt 2023.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj të këtij viti, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që u vihet barrëe.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2021, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Ndërsa, më 19 shkurt, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 shtator 2017, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit Publik në MI, i cili tani për tani është i paqasshëm për prokurorinë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në dobi të personit tjetër.

Në aktin akuzues thuhet se të njëjtit, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik 04/ L- 042, Statutin dhe Kodin e Sjelljes së KDNM-së dhe me kushtet e kontratës së 1 korrikut 2014, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel & Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë dhe atë nga 18 janari 2018 siç ishte e përcaktuar në kontratën bazë, deri më 31 dhjetor 2018, duke mos e përcaktuar koston financiare.

Ky veprim, sipas prokurorisë i ka lënë hapur mundësinë OE “Bechtel & Enka” që më 27 nëntor 2017 të paraqes pranë punëdhënësit kërkesën për pagesën e shumës shtesë në vlerë prej 63 milionë euro, në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, e cila kërkesë më pas ka zbritur në vlerën prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Tutje thuhet se si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurve, e njëjta është aprovuar për pagesë nga Qeveria e Kosovës, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës “Hill Internacional”, me ç’rast, si pasojë e veprimeve të të pandehurve, buxhetit të Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.

Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se në vazhdimësi nga 27 shtatori 2017 e deri më 5 qershor 2018, në Prishtinë në cilësinë e personave zyrtarë, Lekaj dhe këshilltari i lartë politik i tij, Eset Berisha me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, duke i shfrytëzuar pozitat zyrtare, me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit R6 “, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me Ligjin për Prokurimin Publik, Rregulloren nr.02/2011 të Qeverisë së RKS-së si dhe Statutin dhe Kodin e Sjelljes së Komitetit Drejtues Ndërministror.

Siç thuhet në aktakuzë, Lekaj, pas nënshkrimit të marrëveshjes me OE “Bechtel & Enka” si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, në cilësinë e kryesuesit të KDMN-së, pa e informuar dhe pa e marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë, e ka angazhuar Berishën në cilësinë e këshilltarit të tij politik, që të marrë pjesë në negociata me “Bechtel & Enka”, me qëllim të përcaktimit të kostos financiare sipas marrëveshjes së 27 shtatorit 2017, detyra këto jashtë fushëveprimit dhe kompetencave të cilat i ka këshilltari politik.

Tutje në aktakuzë thuhet se Berisha ka zhvilluar biseda me përfaqësuesit e “Bechtel & Enka” dhe në pajtim të plotë me Lekajn, janë dakorduar qe në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve deri më 31 dhjetor 2018, MI t’i paguajë operatorit ekonomik kosto financiare shtesë në vlerë prej 45 milionë euro, e cila shumë me shpenzimet e TVSH-së prej 18% arrin shumën prej 53 milionë e 100 mijë euro.

PSRK pretendon se me qëllim të realizimit të planit të tyre, Lekaj dhe Berisha, në tërësi kanë injoruar anëtarët e KDNM-së dhe Njësinë për Implementimin e Projektit, organe këto të cilat sipas Statutit kanë pasur autorizime të zhvillojnë biseda dhe të marrin vendime për të gjitha çështjet që ndërlidhen me realizimin e këtij projekti, e për më tepër edhe për çështjen e zhvillimit të bisedimeve dhe përcaktimin e kostos për zgjatet e afatit të përfundimit.

Gjithashtu në aktakuzë thuhet se Lekaj me ndihmën e Berishës, në drejtim të realizimit të qëllimit, ka injoruar në tërësi opinionin e kompanisë mbikëqyrëse të projektit “Hill International”, sipas të cilit opinion shuma reale dhe e lejuar për shtyrje të afatit të përfundimit të punimeve është 14 milionë e 778 mijë e 654 euro e 87 centë, pikërisht siç ishte paraqitur në pikën A të kërkesës së “Bechtel & Enka”, për dallim nga pika B dhe C e kërkesës për kosto financiare shtesë, të cilat janë totalisht të paarsyetuara dhe të papranueshme.

Për më tepër, sipas prokurorisë injorimi i opinioneve të kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” vjen në pah edhe atëherë kur vet i pandehuri Lekaj këtë opinion fare nuk e ka prezantuar në takimet e KDNM-së, të mbajtura për këtë qëllim.

Madje në aktin akuzues thuhet se Berisha, më 1 qershor 2018 në kundërshtim të plotë me përgjegjësitë dhe detyrat e tij e në bashkëpunim të plotë me Lekaj, i kanë bërë presion drejtorit të Departamentit Ligjor të MI-së, Avdi Kamerolli, duke i kërkuar ndryshim të opinionit ligjor paraprak, në të cilin opinion rreth kërkesës për kosto financiare, përveç tjerash është konstatuar se: “Opinione sqaruese të tjera konsideroj se mund të japin personat përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe kompania mbikëqyrëse “Hill International” si përfaqësues i punëdhënësit dhe Departamenti i Prokurimit Publik si nënshkrues i kontratës”.

Ashtu që thuhet se më pas Kamerolli nën presion është detyruar ta ndryshojë versionin origjinal të opinionit të parë, me ç’rast ka hartuar versionin e ri duke e hequr kompaninë “International Hill” dhe duke lënë si palë kompetente për opinionet shtesë vetëm Departamentin e Prokurimit, veprime këto që i kanë paraprirë ekzekutimit të pagesës për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve.

Tutje në aktin akuzues thuhet se këto veprime të të pandehurve, i kanë shtyrë anëtarët e KDNM-së të cilët të gjendur para një situate të tillë para fakteve të rrejshme, në takimin e 5 qershorit 2018 të marrin vendim duke i rekomanduar Qeverisë që të aprovojë kërkesën e “Bechtel & Enka” për pagesën e shumës prej 53 milionë e 100 mijë euro në emër të shtyrjes së afatit të përfundimit të punimeve.

Në fund të aktakuzës thuhet se bazuar në faktin se kompania mbikëqyrëse “Hill International” ka dhënë opinionin se vlera prej 14 milionë e 778 mijë e 654 euro e 87 centë, është vlerë reale dhe e vetmja që duhet t’i paguhet OE “Bechtel-Enka” në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve për projektin në fjalë, me të cilin vlerësim është pajtuar edhe “Bechtel&Enka”, si dhe duke iu referuar diferencës me shumën prej 53 milionë e 100 mijë euro të aprovuara për pagesë, rrjedh se si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve, buxhetit të RKS-së i është shkaktuar dëm në shkallë të madhe në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.

Me këto veprime, të përshkruara në pikën një dhe dy të aktakuzës, PSRK të pandehurit i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera