Lajme

Pak orë para takimit me Kurtin, lajmërohet Vuçiq me propagandë: Do të jetë vështirë, i gjithë Perëndimi kundër nesh

Autori: Gazeta inFokus 14:23 | 02 May 2023

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nëpërmjet një video në Facebook ka komentuar takimin e sotëm të nivelit të lartë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin në Bruksel ku do të diskutohet për të zhdukurit dhe ku do të prezantohet draft-statuti i parë i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Vuçiq ka vazhduar me propagadën e njëjtë të para çdo takimi duke thënë se do të jetë e vështirë dhe se të gjithë “të mëdhenjt” e Perëndimit janë kundër tij.

Presidenti serb vazhdon me gjuhën e tij duke thënë se “ligji dhe drejtësia” janë në anën e Serbisë, ndërsa thotë se dashuria për lirinë është shumë e fortë.

-Advertisement-

“Do të jetë e vështirë. Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjt në Perëndim. Megjithatë, ligji dhe drejtësia janë në anën tonë. Më e rëndësishmja, ata nuk e kuptojnë se sa e fortë është dashuria për lirinë dhe sa fort mund ta ruash atë, me gjithë presionin. Rroftë Serbia!”, ka shkruar Vuçiq.

Në anën tjetër, gjatë ditës së sotme nuk ka pasur ndonjë reagim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përveç një fotografie të publikuar mbrëmë me ekipin e tij ku thotë se po bëhen përgatitje për takimin e sotëm

Të martën e 2 majit, në Bruksel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të takohen në takimin e radhës të nivelit të lartë Kosovë – Serbi në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë takim, Kurti e Vuçiq do të priten nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Liderët do të zhvillojnë një takim të përbashkët me liderët duke filluar nga ora 18:00. Takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Palët pritet të mriatojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale politike me rëndësi.

Në fund të takimit, do të ketë një deklarim për media nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Zbritje dhe plot 5 dhurata – Oferta spektakulare e dyshekëve Comodita
-Advertisement-

Të tjera