Lajme

Pajaziti: PDK s’ka vendosur ende a do ta mbështes rrëzimin e Qeverisë

Autori: Gazeta inFokus 15:24 | 08 May 2017

PDK’ja ende nuk ka qëndrim të prerë nëse deputetët e partisë së parë në vend do ta votojnë apo jo të mërkurën mocionin për shkarkimin e Kryeministrit Mustafa, të iniciuar nga opozita por të nënshkruar edhe nga një numër i vogël i deputetëve të PDK’së.

Shef i grupit parlamentar të PDK’së, Zenun Pajaziti, të hënën i ka thënë Gazetës Express se kjo parti i ka dhënë prioritet koordinimit me partnerët e koalicionit, para se të marrin vendim për votën në Kuvend ndaj mocionit.

“Ende nuk kemi diçka të tillë”, tha Pajaziti, i pyetur nëse grupi i tij parlamentar ka marrë vendimin karshi mocionit të së mërkurës.

-Advertisement-

“Ne e kemi dhënë si parti, siç e dini, prioritet koordinimit brenda koalicionit, edhe mbetemi edhe të gatshëm dhe më shpresë që me u koordinu gjithë procesi për gjitha përgjithësitë që i kemi”, tha tutje Zenun Pajaziti për Gazetën Express.

Por, nëse PDK ende si grup parlamentar s’ka vendim për votim apo kundërshtim të mocionit, disa deputetë të saj tashmë e kanë dhënë nënshkrimin e tyre për mocion, gjë që i mundësoi javën që shkoi opozitës procedimin e tij në Kuvend.

E në ditën që ky mocion shkoi në Kuvend, zëvendëskryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi, pas një mbledhje të jashtëzakonshme të kryesisë së partisë së Kadri Veselit, tha se deputetët e PDK’së janë të lirë në vendimet e tyre.

“PDK nuk i ka vendimet autoritare”, kishte deklaruar Kuçi të premten në mesditë.

Ndryshe, pas procedimit në Kuvend të mocionit ndaj qeverisë Mustafa, për të hënën Qeveria e Kosovës kishte paraparë një mbledhje për procedimin e demarkacionit për votim nga deputetët, para testit të së mërkurës ndaj qeverisë Mustafa.

Por, mbledhja dështoi të mbahej, pasi në të nuk erdhën Ministrat e Mustafës që vijnë nga PDK’ja, ndërkohë se Mustafa ishte në një takim me partnerin Kadri Veseli dhe ambasadorin amerikan Greg Delaëie.

Më pas, qeveria njoftoi se demarkacioni do të procedohet në Kuvend pas të mërkurës, derisa kreu i LDK’së, kryeministri Isa Mustafa thirri deputetët e tij në një takim për të martën me ambasadorin Delaëie.

Ambasadori amerikan deri me tash është konfirmuar se do të takoi vetëm grupin parlamentar të LDK’së, e diçka e tillë nuk është paraparë edhe për grupet tjera parlamentare.

Zenun Pajaziti, shef i grupit parlamentar të PDK’së, ka konfirmuar se deri me tani nuk kanë marrë njoftim për një takim të ngjashëm.

“Jo. Nuk kemi asnjë lloj agjende të tille, njëherë përnjëherë”, tha të hënën, Pajaziti për Gazetën Express. /M.Gj./GazetaExpress/.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!
-Advertisement-

Të tjera