Pagat e politikanëve dhe liderëve kryesorë të vendeve të Ballkanit
Autori: Gazeta inFokus 16:05 | 27 January 2018
Politikanët kryesorë në rajon mund të fitojnë shumë më tepër se një qytetar mesatar, por përfituesit më të mëdhenj janë rrallë ata që zënë postet më të larta shtetërore.
Të dhënat zyrtare mbi pagat dhe pasuritë e politikanëve kryesorë në Ballkan tregojnë dallime të mëdha në pasurinë e tyre, dhe për shembull fakti që disa politikanë që nuk mbajnë poste të larta fitojnë më shumë se presidentët.
Ndërsa kryetari i njësisë serbe të Bosnjës, Republika Srpska, Milorad Dodik, fiton 1 mijë e 700 euro në muaj, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviq, merr 3 mijë e 050 euro për punën e saj. Homologu i tyre bullgar merr 5 mijë euro.
Një nga rritjet më të mëdha të pagave në rajon, të rritur nga vetë ai, ndodhi në dhjetor për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai vendosi që pothuajse të dyfishojë pagën e tij, duke e rritur atë nga rreth 1 mijë e 500 euro në 2 mijë e 950 euro në muaj.
Megjithatë, kryeministrat dhe presidentët nuk janë politikanët më të paguar në Ballkan.
Kreu i kompanisë serbe të gazit ‘Srbijagas’, Dusan Bajatovic, i cili është gjithashtu deputet nga Partia Socialiste Serbe, fiton më shumë se 20 mijë euro në muaj. Në Rumani, Sekretari i Përgjithshëm i Senatit, Ioan Vargau fiton 4 mijë e 105 euro.
Politikani i Kosovës, Behgjet Pacolli, një manjat që u kthye në politikë në vitin 2005, tani është duke shërbyer si zëvendës-kryeministër dhe ministër i jashtëm, ka regjistruar zyrtarisht shumë aktivitete të biznesit brenda dhe jashtë Kosovës.
Derisa paga e tij mujore është relativisht modeste, 2 mijë e 500 euro, pasuria e tij, sipas deklarimit të tij, arrin disa miliardë euro.
Deputetët boshnjakë fitojnë shumë më tepër se shumica e boshnjakëve
Ligjbërësit e Bosnjës kanë pagat më të larta në Europë, në krahasim me pagat mesatare në vendin e tyre.
Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, fiton 1 mijë e 700 euro në muaj, ndërsa Marinko Cavara, presidenti i entitetit tjetër, i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, fiton 1 mijë e 650 euro në muaj.
Zheljka Cvijanoviq, kryeministri i Republikës Srpska, fiton 1 mijë e 750 euro dhe kryeministri i Federatës, Fadil Novaliq, fiton 1 mijë e 650 euro.
Në presidencën e Bosnjës, Bakir Izetbegoviq, anëtari boshnjak dhe Dragan Çoviq, anëtari kroat i Bosnjës, fitojnë nga 2 mijë e 850 euro në muaj. Mladen Ivaniq, anëtari serb i Bosnjës, fiton 3 mijë e 072 euro në muaj.
Nga ana tjetër, anëtarët e parlamentit boshnjak fitojnë edhe më shumë. Përveç pagës së tyre mujore ata paguhen për punën e tyre në komisione të ndryshme dhe gjithashtu fitojnë shpërblime për shkak se jetojnë larg familjeve të tyre.
Ndër ata që shpesh kritikohen për këtë janë deputetët Nebojsha Radmanoviq, me një pagë mujore prej rreth 3 mijë e 773 euro, Denis Beqiroviq me 3 mijë e 550 euro dhe Dushanka Majkiq me 3 mijë e 610 euro.
Një pagë e mirë mujore në Bosnje qëndron tek rreth 400 euro. Në të kundërt, ligjvënësit gjermanë fitojnë vetëm dyfishin e pagës mesatare në Gjermani.
Kushtetuta e Bosnjës mbron zyrtarët e zgjedhur nga përpjekjet për t’i ulur pagat e tyre gjatë mandatit të tyre në detyrë.
Deputeti kontravers paguhet më shumë se politikanët bullgarë
Politikani më i paguar bullgar është presidenti. Paga e tij formohet duke dyfishuar pagën e një deputeti [rreth 1.600 euro], plus 1.6 për qind të shumës për çdo vit të përvojës së punës.
Ndërsa presidenti aktual i Bullgarisë, Rumen Radev, ka 35 vjet përvojë pune, paga e tij mujore arrin në mbi 10,000 leva, ose 5 mijë euro, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Statistikave.
Radev ka deklaruar pasuri modeste. Deklarata e tij e fundit vjetore në zyrën e kontrollit shtetëror thotë se ai zotëron një gjysmë apartamenti në Sofje, dhe kursime për rreth 5 mijë e 500 euro së bashku me gruan e tij.
Për krahasim, kryeministri Bojko Borisov ka deklaruar kursime me vlerë prej 26,000 leva, ose 13 mijë euro, të gjitha nga pagat. Paga mujore e tij është rreth 5.000 leva, ose 2 mijë e 500 euro.
Politikani më i pasur i Bullgarisë, sipas deklaratës së tij të pasurisë vjetore, është deputeti kontravers dhe biznesmeni, Delyan Peevski, i cili vitin e kaluar deklaroi pronësinë e dy apartamenteve, dy garazheve dhe një shtëpie.
Kursimet e tij arritën në vlerën rreth 75 mijë euro, por në të njëjtën kohë, depozitat e tij bankare arritën në mbi 10 milionë leva [ose 5 milionë euro]. Përveç kësaj, ai zotëron aksione në kompani me vlerë rreth 30 milionë euro.
Rektorët e universiteteve mundin politikanët kroatë
Në Kroaci, presidentja Kolinda Grabar Kitaroviq ka pagën më të madhe mujore nga të gjithë politikanët, me vlerë prej rreth 3 mijë e 050 euro. Kryeministri, Andrej Plenkoviq ka një pagë disi më të vogël prej rreth 2 mijë e 400 euro.
Përderisa deputetët kroatë fitojnë rreth 2 mijë e 300 euro çdo muaj, ata kalohen për nga pagesat nga rektorët e universiteteve, me paga prej rreth 4 mijë euro, pavarësisht betejës së universiteteve me renditjet e këqija në nivel global.
Qeveria e qendrës së majtë miratoi një dekret që uli pagat e tyre për 25 deri në 30 për qind në vitin 2013, duke i vendosur ata në të njëjtin nivel si asistentët dhe zëvendësministrat.
Megjithatë, në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e anuloi dekretin. Pretendohet se funksioni i rektorit “ka një qëllim publik shumë të ndryshëm nga ai që i shërben funksioneve të zyrtarëve të shtetit në varësi të hierarkisë”.
Gjykata tha gjithashtu se qeveria nuk dha një arsye të ligjshme për lëvizjen e saj dhe nuk e kishte nënshtruar dekretin e propozuar në një proces të detyrueshëm të debatit publik.
Paga mesatare mujore në Kroaci është rreth 800 euro.
Kryeministri i Kosovës e dyfishoi pagën e tij brenda natës
Lajmi për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj u bë viral në fund të dhjetorit, kur vendosi të dyfishojë pagën e tij nga rreth 1 mijë e 500 deri në 2 mijë e 950 euro në muaj.
Duke arsyetuar vendimin e tij, Haradinaj tha se ai duhej të dyfishonte pagën e tij në mënyrë që të ishte në gjendje të furnizohet me garderobë siç duhet.
“Duhet të blej kravata, duhet të blej këmisha … Unë duhet të jem në nivelin e përgjegjësisë”, tha Haradinaj, për RTK-në.
Disa ditë pas kësaj deklarate, një artist organizoi nismë para ndërtesës së qeverisë në Prishtinë, në të cilën mblodhi më shumë se 300 kravata që ishin vendosur në rrethojat e ndërtesës së Qeverisë.
Megjithatë, sipas deklaratës së tij vjetore të pasurisë, Haradinaj nuk është në listën e politikanëve të varfër.
Ndër mjetet e tjera, ai zotëron një shtëpi në Prishtinë me vlerë 300 mijë euro, të cilën ai deklaroi se e kishte ndërtuar “me paratë e tij dhe me ndihmën e bashkëluftëtarëve”. Vite më parë, ai dha me qera këtë shtëpi, nga e cila ai fiton 73 mijë e 469 euro në vit.
Përveç kësaj, ai e ndan me familjarët një shtëpi në fshatin e tij të lindjes, në Gllogjan të komunës së Deçanit, e cila sipas deklaratës së tij të pasurisë e ka vlerën 270 mijë euro.
Vendimi i Haradinajt për të rritur pagën e tij ka pasur gjithashtu një ndikim domino në zyrtarët e tjerë të lartë.
Sipas ligjit, presidenti duhet të marrë pagën më të lartë në mesin e personaliteteve të vendit, Hashim Thaçi ka parë rritjen e pagës së tij nga 2 mijë e 906 euro në 3 mijë e 635 euro.
Në deklaratën e tij të pasurisë në vitin 2017, Thaçi deklaroi një shtëpi dhe një tokë bujqësore si “pronë familjare” me vlerë prej 260 mijë euro.
Ai deklaroi se ai mban rreth 308 mijë euro si kursime në banka, shumica e këtyre parave të marra nga shitja e shtëpisë së tij në një lagje të Prishtinës.
Megjithatë, nuk është çudi që kampioni i pasurisë në mesin e politikanëve të Kosovës është Behgjet Pacolli, manjati i kthyer në politikan, i cili tani është duke shërbyer si zëvendës-kryeministër dhe ministër i jashtëm.
Në deklaratën e pasurisë së vitit 2017, Pacolli listoi aktivitete të shumta biznesi brenda dhe jashtë Kosovës. Përveç pagës së tij mujore prej 2 mijë e 500 euro, ai pranoi të ishte një njeri shumë i pasur.
“Gjithmonë kam refuzuar të flas për këtë [pasurinë], por është e pamundur t’u shmangësh pyetjeve të tilla. Sigurisht që kam krijuar diçka në jetën time, e kam krijuar vetë dhe lirisht mund të quhem miliarder”, tha ai. “Por unë gjithmonë do të mbetem i biri i një fshatari”, tha Pacolli për Klan TV të Tiranës në një intervistë në tetor të vitit 2016.
Pacolli zotëron gjithashtu një avion biznesi Challenger CL 604 B & A me vlerë prej 9.9 milionë euro si dhe, ndër tjera, gjashtë makina Mercedes-Benz me vlerë 563 mijë euro.
Të ardhurat e deputetëve maqedonas shkaktojnë dyshime
Në Maqedoni, ku paga mesatare mujore tejkalon 300 euro, kryeministri Zoran Zaev dhe presidenti Gjorge Ivanov fitojnë paga pothuajse identike.
Sipas ligjit mbi pagat për zyrtarët e zgjedhur, pagat bazë të kryeministrit, presidentit dhe kryetarit janë të njëjta, duke arritur në 80 mijë denarë, me vlerë rreth 1 mijë e 160 euro.
Kjo pagë, si dhe pagat e të gjithë zyrtarëve të emëruar ose të zgjedhur nga shteti, llogariten nga paga mesatare si bazë të cilave u shtohet një koeficient, në varësi të pozicionit konkret të personit. Kjo do të thotë që nëse paga mesatare në Maqedoni shkon lart ose poshtë, ashtu shkojnë edhe pagat e zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Qeveria e re e Maqedonisë, e zgjedhur në maj, ka premtuar një shpenzim më racional të parave publike. Por zëvendës-kryeministri për ekonominë, Koço Angjushev, ishte i vetmi që tërësisht e braktisi pagën e tij shtetërore dhe e dhuroi atë për kauzat e ndryshme humanitare. Angjushev me siguri mund ta përballojë të jetë bujar, pasi ai është personi më i pasur në qeveri. Ai vjen nga sektori i biznesit dhe pasuria e tij e deklaruar arrin në rreth 28 milionë euro.
Ndërkaq, publiku maqedonas, së fundi, është shqetësuar për fitimet shtesë të deputetëve që kanë kërkuar shuma të mëdha si rimbursime për shpenzimet e supozuara të udhëtimit.
Në dhjetor, Prokuroria Speciale, e ngarkuar për të hetuar krimin e nivelit të lartë, filloi një hetim të koduar me titull “Drumarina”, ku kërkohet për mashtrim ish-deputetja Silvana Boneva, nga ish-partia qeverisëse, VMRO DPMNE.
Ajo dyshohet se ka marrë në mënyrë të paligjshme rreth 100 mijë euro nga buxheti i shtetit gjatë mandatit të saj nga viti 2011 deri në vitin 2016, duke raportuar shpenzimet e udhëtimit të saj nga vendbanimi i saj në Strumicë deri në parlament.
Ndërsa mediat zbulojnë raste gjithnjë e më të dyshimta, duke përfshirë deputetët e mëparshëm dhe aktualë, Prokuroria Speciale ka zbuluar vetëm se po heton edhe një deputet tjetër të paidentifikuar.
Politikanët malazezë fitojnë më shumë se paga mesatare
Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, merr 2 mijë e 423 euro në muaj, që është më shumë se katërfishi i pagës mesatare në vend, e cila është rreth 500 euro.
Kryeministri Dushko Markoviq fiton 2 mijë e 240 euro në muaj për punën e tij në qeveri.
Presidenti nuk është politikani më i paguar në Rumani
Krerët e dy dhomave të parlamentit, kryetari i senatit Kalin Popesku Tarikeanu dhe kreu i dhomës së ulët, Liviu Dragnea, fitojnë rreth 3 mijë e 200 euro në muaj. Ministrat fitojnë 3 mijë e 100 euro çdo muaj.
Megjithatë, paga më e madhe në Rumani, sipas faqes së internetit të Senatit, nuk është ajo e presidentit.
Sekretari i Përgjithshëm i Senatit, Ioan Vargau merr në shtëpi rreth 4 mijë e 105 euro në muaj, pasi lëshoi një dekret që i siguroi vetes një pagë dinjitoze. Masa e tij shkaktoi trazirë në media tetorin e kaluar.
Shefi i gazit fiton shumë më tepër se presidenti i Serbisë
Të ardhurat më të larta në politikë në Serbi nuk janë ato të presidentit apo të kryeministrit, por të Dushan Bajatoviq, kreut të kompanisë publike të gazit, ‘Srbijagas’.
Sipas të dhënave publike, Bajatoviq merr rreth 20 mijë e 821 euro në muaj. Bajatoviq merr paga nga ‘Srbijagas’ dhe kompanitë e saj simotra, por gjithashtu fiton para në dorë si deputet i partisë së vogël partnere në koalicionin qeverisës, Partisë Socialiste Serbe, SPS.
Pas durimit të shumë kritikave, Bajatoviq tha në një konferencë për shtyp në vitin 2015 se ai kishte dhuruar një pjesë të të ardhurave të tij për qëllime humanitare.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, merr vetëm rreth 1 mijë e 077 euro në muaj, ndërsa kryeministrja, Ana Brnabiq merr edhe më pak, rreth 878 euro në muaj.
Sipas të dhënave të fundit zyrtare, të botuara nga Instituti i Statistikave, paga mesatare neto në Serbi është rreth 399 euro në muaj./Ekipi i BIRN
Të tjera
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...
-
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni
Ushtarët ukrainas janë trajnuar nga trupat e NATO-s që kur Rusia sulmoi Ukrai...
-
Mediat ndërkombëtare jehonë lajmit për mbylljen e TikTok në Shqipëri
Lajmi për mbylljen e TikTok në Shqipëri ka gjetur pasqyrim të gjerë në mediat...
-
Ndalohet një autobus në Merdare, në një valixhe kapet nga Dogana një armë me 50 fishekë
Dogana e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare në Merdare gjatë kontrollit...