Fokus

 (PA)drejtësia ndërkombëtare| Për krime lufte më shumë u dënuan shqiptarët se sa serbë (FAKTE)

Autori: Sylejman Sylejmani 20:02 | 14 January 2019

Përkundër rreth 15 mijë personave të vrarë nga forcat paramilitare serbe, mbi 20 mijë femrave të dhunuara nga ta, e mijëra të zhdukurve, shqiptarët kanë pësuar më shumë nga dënimet e Gjykatave sesa serbët.

Kështu sipas statistikave që ka siguruar gazeta inFokus, nga gjykimet që kanë ndodhur pas luftës më shumë ka shqiptarë të dënuar, se serbë.

Dy shqiptarë u dënuan për krime lufte në Hagë, e një tjetër u dënua në Serbi ndërsa dënime kanë marr edhe 34 të tjerë në Kosovë.

-Advertisement-

E në Hagë u dënuan 6 serbë. 15 të tjerë u dënuan në Serbi, e vetëm 4 në Kosovë.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka një sqarim për këtë që po ndodhë.

Sipas tij pas përfundimit të luftës shqiptarët të cilët kanë luftuar kanë mbetur në Kosovë dhe ka qenë më e lehtë për t’u gjykuar, kurse shumica e serbëve që kanë marr pjesë në luftë janë larguar nga territori i Kosovës.

“Duke pas parasysh që Kosova dhe Serbia nuk bashkëpunojnë në ekstradimin e të dyshuarve dhe në shkëmbimin e informatave lidhur me personat e dyshuar për krimet e luftës, të cilët jetojnë në Serbi, në këtë mënyrë krijohet klimë e favorshme për kryerësit  të cilat i kanë kryer krimet në Kosovë. Por mund të shihet se nga Tribunali i Hagës dhe nga Gjykata në Serbi janë dënuar më shumë serbë se sa shqiptarë”, thekson Alija për Gazetën inFokus.

Ai tregon se në Serbi ekziston një Gjykatë e cila merret me gjykimin e krimeve të luftës të cilat kanë ndodhur në gjithë Jugosllavinë, por sipas tij rezultatet e këtyre proceseve nuk janë të mjaftueshme.

Këtë Gjykatë shteti serb e ka që nga viti 2003.

“Për krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë janë dënuar 6 persona nga Tribunali i Hagës, të cilët kanë pasur pozitat më të larta ushtarake dhe politike në Serbi në kohën kur ka ndodhur lufta në Kosovë. Gjithashtu Serbia që nga viti 2003 e ka krijuar një gjykatë e cila merret me këto gjykimeve, dhe duke i proceduar vetë disa raste ka arritur që të arsyetohet se në një far forme është e aftë që vetë të ballafaqohet me këto procese, edhe pse këto procese janë të pakta në numër”, tregon Alija për inFokus.

Për kosovarët ka nisur një tjetër proces gjyqësor që ka të bëjë me luftën e UÇK-së.

Në Hagë është krijuar një Gjykatë Speciale, e cila ka filluar intervistimin e krerëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Komandanti i zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa është i pari që e ka filluar intervistimin.

Ai është akoma duke u marrë në pyetje nga prokurorët special.

Publikisht është treguar se ftesa nga Haga kanë pranuar edhe krerë të tjerë të lartë të UÇK-së.

Në Hagë është edhe Sami Lushtaku.

E ftesa tashmë iu kanë dërguar edhe disa personave në Kosovë./Gazeta inFokus/

Lexo dhe:

https://gazetainfokus.com/hysni-gucati-nuk-i-frikesohet-gjykates-speciale-ate-e-quan-raciste/

https://gazetainfokus.com/bashkeluftetari-i-rrustem-mustafes-akuzon-deputetet-per-gjykimin-e-luftetareve-te-uck/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera