Lajme

Paditësi kërkon anulimin e konkursit për mësimdhënës të shpallur nga Drejtoria e Arsimit në Gjilan

Autori: Gazeta inFokus 19:00 | 19 February 2023

Paditësi B.S. ka ushtruar padi kundër Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, i cili po kërkon që konkursi i 30 shtatorit 2022 për mësimdhënës në pozitën “Profesor i Filozofisë dhe Sociologjisë” në shkollën e mesme Gjimnazi “Zenel Hajdini”, të anulohet.

Në padinë e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” të ushtruar më 17 janar 2023, paditësi B.S. pretendon se pasi ka aplikuar në konkursin për mësimdhënës, nuk është njoftuar se kur do të mbahet testi me shkrim, por se ditën e fundit ishte njoftuar nga një familjar se ishin publikuar emrat e kandidatëve që do t’i nënshtroheshin këtij testimi.

Ndër të tjera, në këtë padi thuhet se ka pasur pyetje me 1, 2, 3 apo më shumë përgjigje të sakta, mirëpo nuk janë kategorizuar se cili është ai grup i pyetjeve.

-Advertisement-

Tutje, i njëjti pretendon se testi ka qenë 90-95% i njëjtë për të gjitha grupet e mbajtura më 1 dhjetor 2022 edhe pse kanë pasur orare të ndryshme, e që sipas tij përgjigjet kanë pasur mundësi të barten nga grupi në grup, si dhe e njëjta gjë ka vazhduar edhe ditëve në vijim që janë mbajtur edhe dy grupe tjera.

Andaj, sipas kësaj padie, paditësi B.S., thotë se ka pasur dyshimet e tij se konkursi në fjalë ka qenë i projektuar për persona të caktuar që të kalojnë fazën e parë, ndërsa të eliminohen të tjerët që nuk i kanë marrë paraprakisht përgjigjet e sakta.

Gjithashtu, në fund të padisë thuhet se Drejtoria e Arsimit në Gjilan ka bërë jashtëligjshëm edhe vlerësimin e testimit verbal, duke pretenduar që edhe pse maksimumi ka qenë 100 pikë, sipas tij ka pasur shumë aplikues që janë vlerësuar me më shumë se 110 pikë.

Andaj, paditësi B.S. kërkon që mbi rrethanat e cekura në padi, pas administrimit të provave të propozuara, si dhe atyre që eventualisht mund të propozohen, gjykata ta aprovojë në tërësi si të bazuar në ligj kërkesëpadinë e të njëjtit, ndërsa ta anulojë vendimin e 19 dhjetorit 2022, të marrë nga Drejtoria e Arsimit në Gjilan, përmes të cilit është bërë përzgjedhja e kandidatëve për themelimin e marrëdhënies së punës sipas konkursit në fjalë.

Ndërkaq, po kërkon që çështja juridike administrative t’i kthehet palës së paditur në rishqyrtim dhe rivendosje.

Ndryshe, Drejtoria e Arsimit e Komunës së Gjilanit më 30 shtator 2022 ka shpallur konkurs për 70 pozita për mësimdhënës, për plotësimin e vendeve të lira të punës.

Paditësi pretendon se shkelje të ngjashme kanë ndodhur edhe në konkurset e vitit 2019 ose 2020 dhe 2021. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëntori sjellë Magjinë në ETC
-Advertisement-

Të tjera