Lajme

Pacolli lobon për njohje të Kosovës, në Konferencën e OBI

Autori: Gazeta inFokus 11:26 | 05 May 2018

Lobimi për njohjen e mëtejshme të Kosovës, anëtarësimi në Interpol, aplikimi për statusin e vendit vëzhgues në të Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, do të jenë tre objektivat e pjesëmarrjes së delegacionit kosovar të nivelit të lartë në Konferencën ministrore e vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, në Daka të Bangladeshit.

Ka nisur punimet në Daka, kryeqytetin e Bangladeshit, Konferenca e 45-të e ministrave të jashtëm të vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, organizata e dytë më e madhe ndër-qeveritare pas OKB-së, që mbledh 57 shtete anëtare.

Siç njofton MPJ, në Konferencë merr pjesë si e ftuar speciale edhe Kosova, me një delegacion kryesuar nga numri dy i qeverisë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli. 57 shtetet anëtare përfaqësohen nga dhjetëra ministra të Jashtëm, Zëvendëskryeministra dhe Diplomatë të nivelit të lartë së bashku me një numër të madh përfaqësuesish nga shtete vëzhgues.

-Advertisement-

Tre janë objektivat e pjesëmarrjes e shefit të diplomacisë kosovare dhe delegacionit, që ai kryeson e që e nisi aktivitetin e vet në margjina të konferencës me takime të shumta dypalëshe: lobimi për njohjen e mëtejshme të Kosovës, anëtarësimi në Interpol dhe aplikimi për statusin e vendit vëzhgues në OBI e që synojnë të avansojnë integrimin ndërkombëtar të Kosovës.

Për këto objektiva, ministri Pacolli u takua me homologët e tij nga Bangladeshi, Arabia Saudite, Azerbaixhani, Kazakistani, Guajana, Ishujt Komore, Palestina, Surinami, Maldivet, Mozambiku, etj.

Konferenca e sivjetme shënon kalimin e drejtimit të radhës së kësaj organizate nga Bregu i Fildishtë tek Bangladeshi. Tema kryesore e saj është “vlerat islamike për paqe të qëndrueshme, solidariteti dhe zhvillimi”, me fokus të veçantë tek drama e refugjatëve Rohinga, që janë spastruar etnikisht prej territorit të Myanmarit, duke u shpërndarë në vende fqinjë.

Punimet e seancës së parë u përshëndetën nga Kryeministrja e Republikës Popullore të Bangladeshit, Sheikh Hasina. Për të treguar rëndësinë, që i jep marrëdhënieve me këtë pjesë të botës dhe qasjen bashkëpunuese me të, në Konferencë merr pjesë edhe Ministrja e Jashtme e Kanadasë, zonja Christia Freeland, e cila ju drejtua me një fjalim të vlerësuar, këtij forumi ndërkombëtar.

Ministri i jashtëm Pacolli pati një takim të shkurtër edhe me Ministren e Jashtme të Kanadasë, Kristia Freeland.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera