Lajme

Pacienti padit Spitalin Amerikan për vendosjen e baterisë në zemër dhe dy stendave pa pasur nevojë (Dokumente)

Autori: Gazeta inFokus 18:08 | 11 December 2019

Shaqir Shala nga fshati Loxhë i Pejës ka disa muaj që po përjeton një dramë të vërtetë pas infarktit të kishte pësuar në fillim të korrikut të këtij viti. Kulminacioni i vuajtjes dhe dhembjes shpirtërore ishte kur kuptoi nga mediet se në Spitalin Amerikan në Prishtinë i kishin vendosur stenda dhe pacemaker (bateri e zemrës) pa pasur nevojë.

Shala, nëpërmjet avokatit të tij, më 9 dhjetor 2019 e ka dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj Spitalit Amerikan dhe kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”. Padia ndaj kësaj të fundit ka të bëj me mospagesën e shpenzimeve të mjekimit.

Në padinë, të cilën e posedon “Front Online” bëhet e ditur se Shaqir Shala, i cili është punonjës në Kompaninë Kosovare për Distribuim she Shpërndarje të Energjisë elektrike, KEDS, njëkohësisht edhe anëtarë i Sindikatës së kësaj kompanie, më 4 korrik 2019 sa ishte në orar të punës i shfaqen problem shëndetësore, andaj menjëherë po atë natë kolegët e tij të punës e dërgojnë në Spitalin e Pejës.

-Advertisement-

Me t’u pranuar në këtë Spital, mjekët konstatojnë se paditësi ka pësuar infarkt akut, prandaj duhet të dërgohet për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), mirëpo djali i paditësit e aranzhon dërgimin në Spitalin Amerikan meqë kishte sigurim shëndetësor si punëtor i KEDS-it, thuhet në padinë që e posedon “Front Online”.

Sipas policës së sigurimit shëndetësor me kompaninë “Kosova e Re” , përfitimet që duhet t’i fitoj paditësi duhet t’ia mbulojnë të gjitha shpenzimet e mjekimit, mirëpo nuk ka ndodhur kështu, thuhet mes tjerash në padi.

Pasi që Shala ishte pranuar në Spitalin Amerikan, mjekët e spitalit kanë vlerësuar se Shalës duhet t’i vendoset një stendë dhe një pacemaker (bateri e zemrës) të përkohshëm, të cilat shërbime shëndetësore i kanë kushtuar 8406 euro.

Pasi që ishte shëruar përkohësisht Shala, me 12 korrik 2019 përmes përfaqësuesëve të Sindikatës thotë se e kishte dorëzuar kërkesën-faturat prej 8406 euro, në mënyrë që kompania e sigurimeve “Kosova e Re” t’ia rimburësoj mjetet financiare.

Por, siç thotë ai, kompania e sigurimeve i kishte refuzuar pjesërisht pagesën për rimburësimin e mjeteve, duke e aprovuar vlerën prej 3636 euro, por duke mos ia mbuluar shpenzimet në vlerë prej 4770 euro, me arsyetimin se sipas policës së sigurimit nuk mbulohet çfarëdo implantimi.

Paditësi i është drejtuar kompanisë së sigurimeve me ankesë, duke kërkuar sqarime se pse nuk i është aprovuar në tërësi kërkesa , madje për këtë çështje ka njoftuar edhe Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).

Shaqir Shalës pas gjithë këtyre peripesive i është përkeqësuar përsëri gjendja shëndetësore, me ç’rast më 30 shtator 2019 shtrohet përsëri në Spitalin Amerikan, ku i vendosen edhe dy stenda, shërbim ky që i kishte kushtuar 4270 euro.

Por, pasi që ankesën e kishte dorëzuar tek “Kosova e Re”, kjo e fundit i ishte drejtuar Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, ku konzoliumi i Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive në përbërje të 11 profesionistëve, kishin denoncuar Spitalin Amerikan, prandaj kompania e sigurimeve kishte refuzuar kërkesën e paditësit.

Shala thotë në këtë padi se nga mediet ka kuptuar se Spitali Amerikan, ku ishte trajtuar, duke iu referuar denoncimit të profesionistëve të SHSKUK-së, pa pasur nevojë i kanë vendosur stenda dhe pacemakerin.

Paditësi poashtu thekson se pas mediatizimit të kësaj çështje ka pësuar traumë të jashtëzakonshme, prandaj ka kërkuar 10840 euro kompenzim financiar nga Spitali Amerikan dhe “Kosova e Re”.

Në anën tjetër, kardiologu i Spitalit Amerikan, Sasho Josimovski, javë më parë kishte deklaruar për Express se arteria e pacientit kishte bllokadë totale dhe intervenimet ishin të nevojshme.

Ai kishte sqaruar rreth procedurave të cilat ky spital i ka ndërmarrë në trajtimin e pacientit në fjalë.

“Pacienti është pranuar me diagnozën infarkt akut në murin e parë të zemrës. Arteria ka qenë e mbyllur dhe doktori i parë e ka hapur dhe ka vendosur stentë e pastaj ‘pacemaker’ të përkohshëm. Ka qenë bllok total dhe unë nuk e kuptoj se si kanë mundur ta komentojnë kolegët tanë kardiologë, sepse këtë e kuptojnë edhe studentët e mjekësisë. Ka qenë bllok total dhe prandaj kemi vendos ‘pacemaker’ të përhershëm dhe për këtë s’kemi dilema”, ka thënë Josimovski.

Ai shtoi se pacienti në fjalë gjendjen e ka stabile dhe se vazhdimisht që nga muaji korrik, kontrollet dhe terapitë i ka kryer vazhdimisht në konsultim me të.

Kardiologu deklaron se ‘pacemaker’ i përkohshëm është vendosur për shkak se procedura në arterie koronare kryhet më lehtë dhe pastaj duhet të pritet nëse hiqet blloku total ose jo. Pastaj është vendosur ‘pacemaker’ i përhershëm.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera