Lajme

OVL e UÇK-së kërcënon me jetë dramaturgun kosovar Jeton Neziraj

Autori: Gazeta inFokus 15:33 | 27 April 2017

Nesër, më 28 prill 2017, është paraparë të jepet shfaqja ‘Bordel Balkan’, me regji të regjisorit të njohur serb Andras Urban dhe tekst të dramaturgut kosovar Jeton Neziraj. Deri këtu, gjithçka normale.

Mirëpo, këtë lajm nuk e ka konsideruar të zakonshëm Organizata e Veteranëve të Luftës, e cila ka bërë sot veprim aspak normal. Drejtuesit e kësaj organizate e kanë kërcënuar edhe me jetë dramaturgun Neziraj, me pretendimin se teksti i shfaqjes është denigrues për UÇK-në. Bile, i kanë kërkuar publikut ta bojkotojë shfaqjen dhe, për më tepër, kanë kërcënuar se do të bëjnë çmos për ta penguar vënien e saj në skenë.

Kjo është deklarata e dramaturgut Jeton Neziraj për Express:

-Advertisement-

Nuk e kam shumë të qartë përse OVL apo ndonjë grup tjetër njerëzit ndihen të fyer, sepse shfaqja akoma nuk është dhënë para publikut. Pra, duket paradoksale që ky reagim vjen për një shfaqje teatri, e cila akoma s’është shfaqur, akoma s’ka ardhur në jetë. Megjithatë, ky reagim i parakohshëm lë të nënkuptohet se ata janë të manipuluar nga dikush që dëshiron që me këtë shfaqje të prodhojë një skandal të përmasave të pariparueshme dhe synon ta kthejë këtë vend në terrinë, ku, ndër të tjera, edhe standardet dhe vlerat estetike teatrore kontrollohen e caktohen nga jo-profesionistët.

Një grup i tyre prej 7 a 8 sosh nga kjo shoqatë ishin sot në Teatrin Kombëtar dhe nën kërcënime e fyerje e bënë të qartë se nesër do ta pengojnë mbajtjen e premierës.

Ata, ndër të tjera, më kërcënuan edhe me jetë.

Por unë dëshiroj ta ftoj publikun nesër në premierë që ta përcjellë shfaqjen dhe t’i bëhet mburojë shfaqjes – dhe kjo do të duhej të ishte betejë e të gjithë neve dhe e atyre që dëshirojnë që, në këtë vend, liria krijuese, liria e shprehjes të jenë mbi kërcënimet dhe mbi shantazhet e thirrjet për vrasje.

Ndërsa këtu më poshtë mund ta lexoni reagimin e OVL të UÇK-së:

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, reagon ndaj shfaqjes “Bordel Balkan” të autorit Jeton Neziraj, e me regjisor nga Serbia, e cila nesër më 28 prill 2017 në ora 20:00, është  paralajmëruar që të shfaqet në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

Ky reagim vjen si rezultat i informacioneve që kemi Ne, se shfaqja është denigruese për Luftën e UÇK-së, dhe bastardohen vlerat tona kombëtare, por edhe si rezultat që kishim sot një takim me autorin e të aushtuquajturës shfaqje, i cili edhe pas kërkesës sonë, nuk na tregoj skenarin.

Me keqardhje për publikun, Ju bëjmë thirrje që mos të merrni pjesë në këtë shfaqje përqeshëse për vlerat tona kombëtare, sepse ne nesër si veteran të luftës së UÇK-së, do ta pengojmë për t’u shfaqur.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera