Lajme

Osmani viziton Tuzin, e përgëzon Gjeloshajn për zhvillimin e komunës

Autori: Gazeta inFokus 16:35 | 08 February 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj zyrtar në Mal të Zi, sot ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.

Siç njofton Komuna e Tuzit, presidentja u njoh me projektet zhvillimore që Komuna ka realizuar vitet e fundit, sidomos në fushën e biznesit, ku bashkëpunimi midis Kosovës dhe Tuzit është bërë edhe më i fortë me hapjen e fabrikës së çipsit, të cilën presidentja Osmani edhe e vizitoi, raporton Klankosova.tv.

Gjatë konferencës për shtyp, Gjeloshaj tha se e ndjen veten të nderuar por edhe të emocionuar pasi që “fillet tona të edukimit dhe arsimimit kryesisht i kemi fituar në Kosovë”. Gjithashtu tha se bashkëpunimi do të jetë edhe më i fortë në vitet në vijim.

-Advertisement-

Presidentja Osmani shprehu gatishmërinë e saj për bashkëpunim ndërshtetëror për çështjet në interes të qytetarëve të të dy vendeve.

“Natyrisht që udhëheqjen tuaj këtu e shohim si një sukses të jashtëzakonshëm për shkak se pas shumë vitesh është arritur që Komuna e Tuzit të jetë komunë në vete dhe në të njëjtën kohë e shohim një punë të mrekullueshme të bërë gjatë kësaj periudhe në dobi të të gjithë qytetarëve. Po ashtu e shohim edhe sukses të njerëzve që janë shkolluar në Republikën e Kosovës”, citohet të ketë thënë Osmani.

Presidentja gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar takime me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq si dhe me kryeministrin Dritan Abazoviq.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera