Lajme

Osmani udhëton drejt Pragës për samitin e Komunitetit Politik Europian

Autori: Gazeta inFokus 15:48 | 05 October 2022

Me ftesë të Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Pragë ku do ta  përfaqësojë Kosovën në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Ky takim inaugurues do të mbledhë krerë shtetesh nga 44 vende të kontinentit europian me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Europë.

Siç njofton Presidenca, krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Europian, Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë europianë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

-Advertisement-

“Para liderëve europianë, Osmani do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë. Gjatë takimeve bilaterale, Presidentja Osmani do të diskutojë edhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidenti francez, Emmanuel Macron dhe në të cilën do të bashkohen liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian (BE) dhe liderët e 17 vendeve të tjera evropiane.

Kjo nismë synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin europian.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera