Osmani shfaqet unifikuese në Tiranë, e lë betejën kundër Ramës dhe angazhohet për ta pajtuar me Kurtin
Autori: Gazeta inFokus 14:05 | 04 September 2023
Marrëdhëniet ndërmjet kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama prekën pikën më të ulët këtë verë. Pikërisht këtë verë, presidentja Vjosa Osmani i rregulloi marrëdhëniet me shefin e qeverisë shqiptare, si asnjëherë më parë.
Osmani, e cila kishte qëndruar gjatë krah Kurtit në një betejë akuzash e kundër-akuzash me Ramën, sot është në një vizitë zyrtare në Tiranë, nga ku tha se angazhohet që ata të dy t’i tejkalojnë mospajtimet.
Pas afro tre vjetësh, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u kthye ta zhvillojë një tjetër vizitë zyrtare në Shqipëri.
Vizita e Osmanit në Tiranë në fundvitin 2020 mund të konsiderohet si një nga vizitat më të tensionuara ndonjëherë që një shef/e shteti e ka zhvilluar atje. Tash është ndryshe.
Osmani udhëtoi të dielën për dy ditë vizitë në Shqipëri. Sot u takua me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili e kishte ftuar. U prit me nderime të larta shtetërore.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, presidentja e Kosovës foli për strategji dhe veprim të unifikuar me Shqipërinë në politikën e jashtme.
“Kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme”, tha ajo.
Osmani, që kishte qëndruar gjatë krah kryeministrit Albin Kurti në një betejë akuzash e kundër-akuzash me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, tha se angazhohet që ata t’i tejkalojnë mospajtimet.
“Si presidente angazhohem që të tejkalojmë çdo lloj mospajtimi të momentit që ekziston, por nuk e shoh as si tragjike, as diçka që na pengon të ecim para në këtë qëllim të përbashkët, atë që ju e përmendët si diskutime apo acarim”, tha Osmani, duke iu përgjigjur pyetjes për marrëdhëniet e kryeministrave. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, tha se “janë të shkëlqyeshme”.
“Relacionet mes Kosovës dhe Shqipërisë, natyrisht, siç e përmendëm, mund të fuqizohen edhe më tej. Mund dhe do ta rrisim koordinimin mes nesh”, shtoi ajo.
Osmani dhe Rama i ndreqën marrëdhëniet, ndërkaq Kurti u hidhërua me kryeministrin e Shqipërisë për shkak të anulimit të mbledhjes së dy qeverive në qershor.
Kurti refuzoi ta priste Ramën në takim në Prishtinë në korrik, por Osmani që dikur nuk e shihte me sy Ramën, e priti në Presidencë. Para rreth një viti u duk se ata i kishin tejkaluar mosmarrëveshjet, por marrëdhëniet mes kryeministrave prekën pikën më të ulët këtë verë, aq sa Kurti fliste për “lëngim” në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri.
Kur Kurti dhe Rama ishin pajtuar në Tiranë para një viti, presidentja Vjosa Osmani e vazhdonte e vetme hidhërimin. Në fund të vitit 2020, si presidente në detyrë, ajo kishte shkuar për vizitë zyrtare në Tiranë dhe në një fjalim para deputetëve në Parlamentin e Shqipërisë ajo drejtonte plot akuza ndaj Ramës, i cili kishte zgjedhur të mos shkonte atë ditë në sallën e parlamentit, së bashku me një pjesë të qeverisë së tij.
Fjalimi i Osmanit ishte paraqitur si një paketë akuzash e kritikash ndaj të gjitha qëndrimeve të Ramës në lidhje me Kosovën. Osmani e kishte Ramën në tehun e akuzave të saj, pasi kryeministri shqiptar angazhohej për “Ballkanin e Hapur” – nismën që atëherë quhej “Mini-Schengen”, shkruan Gazeta Express.
Prej atëherë, Osmani i ishte bashkuar qartazi dhe publikisht Kurtit në një betejë akuzash e kundër-akuzash me Ramën. Në samitet jo vetëm rajonale, Osmani e Rama nuk takoheshin. S’ishin takuar as në Nju Jork të SHBA-së, ku kishin shkuar për takime në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Shefja e shtetit të Kosovës nuk donte as të përgjigjej kur në një intervistë për Zërin e Amerikës ishte pyetur se a ishte takuar me kryeministrin e Shqipërisë.
“Mosmarrëveshjet (me Edi Ramën) janë të natyrës zyrtare për temat të cilat edhe i përmenda. Natyrisht që raportet ndërpersonale në mes të politikanëve janë komplet të parëndësishme, por çka është e rëndësishme është raportet ndërshtetërore. Unë kam raporte të shkëlqyeshme me presidentin (Bajram) Begaj, të cilin dua ta falënderoj se që nga fillimi i mandatit të tij ka bërë çmos që Kosovës t’i dëgjohet zëri edhe në raport me shtetet me të cilat ne akoma nuk kemi marrëdhënie bilaterale”, pati thënë Osmani. Ajo besonte se Rama po i reduktonte krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Thoshte se secili shqiptar “e ka obligim kombëtar” që të flasë qartë për krimet serbe.
E vetme vijoi të qëndronte në betejën kundër Ramës deri sivjet. Rama dhe Osmani në fund të qershorit darkuan së bashku në praninë e disa zyrtarëve të tjerë në Ulqin dhe dukeshin në disponim goxha të mirë.
Ata u takuan sërish sot në Tiranë. Pas takimit ‘tête-à-tête’, Osmani me delegacionin e saj u pritën në drekë zyrtare nga Rama.
Të tjera
-
Pushteti kërkon që intervistimi i Kurtit nga Specialja të bëhet sipas propozimeve të tyre, Haxhiu: Nuk ka asnjë arsye që prokurorët të refuzojnë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar të hënën se nëse Prokur...
-
KQZ merr vendim: Nuk certifikohet Lista Serbe
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe. Sh...
-
Alban Rraci mbledh mbështetësit e LDK-së në Klinë: Bashkë për ndryshim dhe fitore me 9 shkurt
Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Klinë, Alban Rraci dhe ...
-
Lajçak e bën bilancin: Kam shpresuar për më shumë progres në dialog, por mesazhi për Kosovën e Serbinë është i qartë
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak k...
-
Vuçiq për protestën masive kundër tij: U mbajt një tubim jashtëzakonisht i madh në Beograd
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, këtë herë ka pranuar se në Beograd është m...
-
Pritjet për të hyrë në Kosovë deri në 40 minuta
Pritjet për të hyrë në Kosova nga pika kufitare e Muçibabës po vijojnë deri n...
-
Deklarohen të pafajshëm 22 të akuzuarit për mashtrim me “Call Center”
Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë deklar...
-
Gjendet pa shenja jete një 61-vjeçar në Pogradec
Një person i moshës 61-vjeçare është gjetur pa shenja jete në banesën e tij, ...
-
Protestë masive në Beograd kundër presidentit serb
Dhjetëra mijëra veta u mblodhën të dielën në një shesh qendror në Beograd duk...
-
Hill thotë se s’ka paralajmërime për sanksione ndaj NIS’it në Serbi, a i gënjeu Vuçiq serbët për të krijuar panik?
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka...
-
Tajani për vizitë në Kosovë, viziton kontigjentin italian të KFOR-it
Kryediplomati italian, Antonio Tajani, ka ardhur për vizitë në Kosovë për të ...
-
Kremlini hedh poshtë raportimet e mediave turke se gruaja e Assadit kërkoi divorc dhe largim nga Moska
Kremlini hodhi poshtë të hënën raportet e mediave turke që sugjeronin se Asma...