Lajme

Osmani: Qeveria dhe presidenti Thaçi po e degradojnë rëndë shërbimin e jashtëm

Autori: Gazeta inFokus 15:10 | 13 August 2018

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se janë bërë shkelje të Kushtetutës pasi që sipas saj është tejkaluar kuota e emërimeve politike dhe shefave të misioneve të jashtme.

Ajo ka theksuar se Qeveria e Kosovës dhe presidenti Hashim Thaçi po vazhdojnë ta degradojnë shërbimin e jashtëm, përcjell Klan Kosova.

“Qeveria e Kosovës, bashkë me Thaçin në pozitën e Presidentit, vazhdojnë ta degradojnë rëndë shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, dhe e bëjnë këtë duke shkelur ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Jo vetëm që kanë tejkaluar kuotën e të emëruarve politik (nga deri në 50% e specifikuar në Ligj, në mbi 80% të emëruar politik të shefave të misioneve diplomatike), por kanë vazhduar të dëmtojnë reputacionin e shërbimit të jashtëm duke shfrytëzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për punësim dhe avancim të militantëve partiak të partive në pushtet dhe dëshmitarëve potencial të Gjykatës Speciale si dhe duke shfrytëzuar mjetet për lobim jo për avancim të Kosovës por për pastrim të imazhit të politikanëve të caktuar”, ka thënë Osmani përmes Facebook.

-Advertisement-

Osmani ka shtuar se LDK përgjatë këtij mandati ka refuzuar të bëhet pjesë e shkeljeve të tilla ligjore dhe është angazhuar që përmes procedurës së kourumit në Komisionin për Punë të Jashme të parandalojë emërimet e tilla si dhe nëpërmjet Komisionit hetimor parlamentar të hetojë shpenzimet për lobim.

“Nuk do mend, se me këto veprime, Kosova po pranon më shumë tërheqje të njohjeve se sa njohje dhe më shumë dështime se sa suksese në anëtarësime në forume shumëpalëshe. Imazhi i shërbimit të jashtëm të Kosovës nuk ka qenë asnjëherë më i keq para syve të ndërkombëtarë dhe dëmet që po i bëhen interesave të Kosovës përmes politizimit të skajshëm të këtij shërbimi fatkeqësisht do të jenë afatgjate”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera