Lajme

Osmani pret Kushtetuesen për rastin e kryeprokurorit

Autori: Gazeta inFokus 20:04 | 12 May 2023

Ankesa e njërit nga kandidatët për kryeprokuror të Shtetit në Gjykatën Kushtetuese i ka dhënë tjetër shtyrje dekretimit potencial të Blerim Isufajt, i cili nga Këshilli Prokurorial ishte nominuar për kryeprokuror.

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes ka thënë se e para e shtetit, Vjosa Osmani është duke pritur vendimin e Kushtetueses dhe me pas do të marrë veprimet e nevojshme.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, nëpërmjet një letre, sot është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës se në këtë Gjykatë është parashtruar një kërkesë individuale nga njëri nga kundërkandidatët në procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit. Në këtë kërkesë kontestohet Aktgjykimi i 23 dhjetorit 2022, i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, i cili ndërlidhet me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit. Sapo të përfundojë trajtimi i çështjes së Kryeprokurorit në gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Presidentja Osmani do t`i ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e saj kushtetuese”, ka deklaruar Kupina.

-Advertisement-

Tutje ai tha se presidentja Osmani ka sqaruar në vazhdimësi se të gjitha veprimet lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit, do t`i ndërmarrë në përputhje me mandatin e saj kushtetues, duke respektuar pavarësinë e procedurave gjyqësore, sikurse edhe të drejtën e kandidatëve për të shteruar procedurat kushtetuese dhe ligjore për realizmin e të drejtave të tyre.

Blerim Isufaj në muajin prill të vitit të kaluar është votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit.Me 11 vota pro Blerim Isufaj është nominuar për kryeprokuror të ri të Shtetit.

Në bazë të rezultatit të intervistimit: Blerim Isufaj është vlerësuar si kandidati më pikët me të larta, me 98 pikë. Ai është pasuar nga Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë si dhe Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta

Të tjera