Lajme

Osmani përkujton kolonelin Ahmet Krasniqi, në 24 vjetorin e vrasjes së tij

Autori: Gazeta inFokus 18:04 | 21 September 2022

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar Ahmet Krasniqin në 24 vjetorin e vrasjes së tij.

Osmani ka thënë se kolonel Ahmet Krasniqi është bashkëdyzim i patriotit e ushtarakut profesionist, i cili dha gjithçka për lirinë e vendit të tij.

Në vijim postimi i plotë:

-Advertisement-

Në mbrëmjen e 21 shtatorit, këtu e 24 vjet më parë, u vra në Tiranë komandanti i parë i Forcave të Armatosura të Kosovës, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi.

Kolonel Krasniqi mbetet simbol i njeriut, i cili përkushtimin atdhetar dhe vizionin për shtet i sendërtoi duke organizuar e udhëhequr strukturën mbrojtëse të Kosovës, nën ombrellën institucionale të saj. Ai është bashkëdyzim i patriotit e ushtarakut profesionist, i cili jep gjithçka për lirinë e vendit të tij. Heroi i Kosovës. Kolonel Krasniqi, jo vetëm e ëndërroi këtë liri, por iu përkushtua asaj – sikur thoshte presidenti ynë, dr. Ibrahim Rugova – “me besnikëri, devotshmëri, maturi, kulturë të lartë dhe pasion të fuqishëm për shtetkrijim”.

Vrasja tinëzare e kolonel Ahmet Krasniqit bëhet edhe më e rëndë ngase ai u vra në mes të Tiranës, në përpjekjet e tij titanike për t’i unifikuar forcat shqiptare kundrejt dhunës, vrasjeve dhe krimeve makabre, deri në përmasën e gjenocidit, të cilin Serbia po e ushtronte ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ndërsa i kujtojmë veprat e lavdishme të kolonelit, duhet t’ia kujtojmë po kështu vetes sonë se një peng jo vetëm ndaj familjes së tij, por edhe ndaj bashkëluftëtarëve të ministrit Krasniqi vazhdon të na rëndojë çdo ditë: zbardhja e vrasjes së tij dhe e shumë veprimtarëve të tjerë për liri. Kosova nuk bëhet e plotë pa u zbardhur plotësisht të vërtetat e saj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera