Lajme

Osmani për Vuçiq: Mendësia e tij që ekzistoi në vitet e 90 duhet hedhur poshtë nga të gjithë

Autori: Gazeta inFokus 10:07 | 06 December 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë.

Ajo është pritur nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kurse më pas ka folur para mediave të shumta vendore e ndërkombëtare.

Osmani ka thënë se ky Samit është një sipërmarrje e rëndësishme qoftë nga Ballkani Perëndimor ashtu edhe nga Bashkimi Evropian, dhe se shpreson që konkluzionet dhe deklaratat do të shfaqin këtë përbashkësi të BE-së drejt një procesi të përshpejtuar për Ballkanin Perëndimor.

-Advertisement-

“Jam këtu si udhëheqja e vendit më pro evropian që ekziston dhe ne kemi treguar këtë përkushtim ndaj BE-së dhe vlerave të saj në çdo veprim që kemi ndërmarrë. Na duhet që BE-ja të lëvizë nga fjalët në vepra kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë Osmani, shkruan Telegrafi.

Presidentja ka thënë se gjithashtu pret mbështetjen e plotë të vendeve anëtare të BE-së për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në familjen evropiane.

“Kosova do ta paraqes aplikimin për anëtarësim në BE në fund të këtij viti dhe shpresoj shumë në mbështetjen e plotë të anëtareve të BE”, tha Osmani.

E pyetur se a do të ketë ndonjë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq gjatë këtij Samiti, Osmani u shpreh se “ky është takim në mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, nuk është vend për dialog mes Kosovës dhe Serbisë”.

Osmani shprehet se “për fat të keq Vuçiq është vazhdimësi e një mendësie që ka ekzistuar në vitet 90 në Serbi dhe është saktësisht kjo mendësi që çoi në luftën në Kosovë. Një mendësi që duhet hedhur poshtë nga të gjithë”.

“Dialogu është një proces në vete që lehtësohet nga BE-ja dhe që ne besojmë që duhet të përqendrohet të njohja e ndërsjellë, të mbroj dhe të ruaj integritetin territorial, sovranitetin e Kosovës dhe sistemin e saj kushtetues”, tha Osmani.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera