Lajme

Osmani për tensionet në veri: Vuçiq është bosi i bandave kriminale

Autori: Gazeta inFokus 10:30 | 29 September 2024

Presidentja Vjosa Osmani ka qenë e ftuar në think tank-un “Council on Foreign Relations” në New York ku foli për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, si dhe rolin e saj në arenën ndërkombëtare.

Osmani tha se synimi i institucioneve të Kosovës është integrimi i serbëve në shoqëri dhe institucione, por thotë se këtë po e pengon Serbia dhe presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq.

Ajo foli për bandat kriminale të kontrolluara nga Beogradi që frikësojnë qytetarët serbë në veri të Kosovës, duke përmendur vrasje të politikanëve, djegie të shtëpive e metoda të tjera të frikësimit e shantazhit.

-Advertisement-

“Duke mos i lejuar ata [serbët e Kosovës] që të integrohen në institucionet e Kosovës, ata tentojnë të përdorin të njëjtat instrumente që kanë përdorur në Bosnjë e Hercegovina. Ata tentojnë që të shkatërrojnë Kosovën nga brenda. Dhe sa më shumë që serbët e Kosovës nuk integrohen aq më shumë Serbia do t’i përdorë “argumentet” e Putinit se ne do të mbrojmë komunitetin pakicë. Në fakt, gjithçka që u intereson është territori. Gjithçka që iu intereson është që të shtyjnë përpara planet për aneksim të stilit të Krimesë derisa atyre nuk ia ndien për të drejtat e serbëve që jetojnë në Kosovë”.

Osmani tha se tensionet në veri të vendit janë të krijuara vetëm nga një burim – “që është Serbia sepse Vuçiqi është bosi i këtyre bandave kriminale, sepse i financojnë, i mbështesin ata politikisht, i kontrollojnë”.

“Dhe së dyti Vuçiqi është njeriu që politikisht tenton t’i mbajë pengje serbët e Kosovës duke mos i lejuar ata që të integrohen në atë që sot është kushtetuta më e mirë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në Europë”.

Osmani tha se “ne nuk duam që askush të kalojë atë që kemi kaluar ne. Ne e dimë se si është të jetosh në diskriminim konstant. Ne duam që secili të ndihet i barabartë dhe i sigurt dhe të ketë mundësitë që të kenë sukses”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai
-Advertisement-

Të tjera