Lajme

Osmani pas takimit me Pendarovskin: Presidenti zë i qartë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 11:07 | 15 December 2021

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se vizita e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski është nder dhe privilegj i madh për Kosovën. Ajo tha se kjo vizitë është e para që një president i një shteti fqinj e viziton zyrtarisht Kosovën.

Presidentja Osmani ka folur edhe për rreth 40 marrëveshje që janë nënshkruar në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Për herë të parë një president i një shteti fqinj e viziton Kosovën në vizitë zyrtare. Kjo vizitë jo vetëm që hap kapituj të ri të bashkëpunimit por konfirmon marrëdhëniet tashmë të shkëlqyera të Kosovës me Maqedoninë e Veriut. Kemi nënshkruar mbi 40 marrëveshje ndërkombëtare, disa memorandum ndërministrore si dhe nisma të tjera për marrëveshje të tjera që janë në proces të finalizimit”, ka thënë ajo.

-Advertisement-

Osmani tha se roli i shqiptareve në Maqedoninë e Veriut është i madh dhe se ata shërbejnë si një urë lidhëse në mes të vendeve.

“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë një urë lidhëse e fortë në mes të dy vendeve tona dhe dy popujt tona kanë lidhshmëri të madhe, bashkëpunim të madh në shumë fusha përfshirë bashkëpunimin, kulturor, tregtar e të tjera që ne synojmë që t’i shtyjmë përpara”, ka thënë më tutje Osmani.

Presidentja e ka falënderuar presidentin Pendarovski edhe për kontributin dhe mbështetjen që ka dhënë Maqedonia e Veriut për Kosovën.

“E falënderoj presidentin Penadrovski personalisht për rolin e tij mbështetës për Kosovën përgjatë gjithë viteve sa ka shërbyer dhe vazhdon që të shërbejë tani si president. E jo vetëm atë por gjithë popullin e Maqedonisë së Veriut për kontributin e dhënë në mënyrë që Kosova të ecë përpara për sfidat me të ciklat është ballafaquar në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Osmani.

Ajo ka falënderuar Pendarovskin edhe për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave.

“Përkundër faktit që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, BE-ja ende nuk e ka përmbushur premtimin. Me këtë rast e falënderoj presidentin Pendarovski që ka qenë zë i qartë për liberalizimin e vizave për Kosovën si vend fqinj”, tha ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera