Lajme

Osmani paralajmëron koordinim qëndrimesh për propozim marrëveshjen

Autori: Gazeta inFokus 18:26 | 06 December 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Tiranë, në konferencë për media, deklaroi se nuk duhet më që BE-ja të jetë në njërën anë dhe Ballkani Perëndimor në anën tjetër.

“Në përballje me agresionin rus, duhet të jemi një dhe të veprojmë si një”, tha Osmani.

Ajo më tej deklaroi se perceptimi i krijuar se Ballkani Perëndimor duhet të bashkekzistojë si një pjesë e ndarë e Evropës, është gabim, moralisht dhe politikisht.

-Advertisement-

“Dhe kjo mënyrë ka rezultuar me më pak integrim, e në rastin e qytetarëve tanë edhe me liberalizimin e vizave, që është një diskriminim i cili duhet të përfundojë”.

Në fjalën e saj, Osmani u shpreh se më në fund, ka një dakordim që më së largu kjo do të përfundojë me 1 janar 2014.

Duke marrë për bazë Bosnje e Hercegovinën, shtet ky që pritet të marrë statusin e vendit kandidat për antarësim në BE, Osmani deklaroi se tani është koha kur Kosova do të dorëzojë aplikimin për antarësim.

“Siç e thash edhe në Samit, ne do ta dorëzojmë aplikimin gjatë këtij muaji, para përfundimit të këtij viti”.

Ajo tha se Kosova i kupton vështirësitë dhe kompleksitetin në këtë proces, prandaj vendi është duke punuar me secilin shtet veç e veç.

Sa i përket çështjes së dialogut dhe dorëzimit në Prishtinë e Beograd nga BE-ja të versionit të rishikuar të marrëveshjes Kosovë-Serbi, presidentja Osmani tha se nuk është diskutuar përmbajtja.

“Është diskutuar parimi si i tillë, pra për vetë faktin se është iniciativë e përkrahur nga France, Gjermania, por edhe shumë shtete të BE-së, të mbështetura nga SHBA, si nismë e re që intensifikon procesin e dialogut”.

Presidentja deklaroi se si institucione të Republikës së Kosovës, në momentin që ka ardhur versioni i parë para disa muajsh, kanë përgatitur komentet e shtetit të cilat janë dorëzuar në Bruksel.

“Supozoj se janë komentet e të dy palëve që janë përfshirë në këtë version të ri”.

Osmani deklaroi se menjëherë kur të kthehet në Kosovë, do të ketë takime institucionale për të koordinuar qëndrimet për versionin e ri.

“Në momentin që i kemi ato të gatshme, do t’i ndajmë me ju, por para se gjithash, me palët që kanë bërë propozimin”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera