Lajme

Osmani nuk do ta përkrahë Projektligjin për rimëkëmbje nëse nuk merren parasysh vërejtjet e opozitës

Autori: Gazeta inFokus 08:18 | 13 October 2020

Pas gjashtë dështimesh, të hënën është miratuar në parim Projektligji për rimëkëmbje ekonomike. Kjo u bë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Grupi Parlamentar i LDK-së, mbështetur nga 62 deputetë nënshkrues. Edhe pse seanca ishte paraparë që të fillonte në orën 10:00, menjëherë u kërkua gjysmë ore pauzë pasi në sallë ishin vetëm 40 deputetë.

Ndërkohë, me ndihmën edhe të votave nga dy deputetët e AKR-së, që nuk janë në Qeveri, u siguruan 64 vota për ta kaluar në parim këtë projektligj. Në votim nuk morën pjesë partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja, me arsyetimin se ky projektligj nuk përmbush kërkesat e bizneseve dhe nuk përkon asgjë me rimëkëmbjen ekonomike.

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se nëse Qeveria nuk bashkëpunon me opozitën nuk do ta ketë përkrahjen e saj për kalimin e këtij projektligji në lexim të dytë, shkruan KOHA Ditore.

Në fillim të seancës, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka kërkuar nga deputetët e opozitës që të votojnë për kalimin e këtij projektligji.

Por, deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, ka thënë se partia e tij vazhdon të mbajë qëndrimin e njëjtë dhe se emërtimi i projektligjit nuk përkon me përmbajtjen.

“Ne jemi për ta ruajtur shtetin, për t’i ruajtur institucionet, nuk mendojmë se kjo bën zgjidhje pasi, siç është cekur edhe nga Zyra ligjore, emërtimi i këtij projektligji nuk përkon me përmbajtje”, ka thënë ai.

Edhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka theksuar se ky propozim që kanë para vetes nuk mund të quhet pako e rimëkëmbjes.

“Ky propozim që e kemi paraparë gjithçka mund të quhet vetëm jo pako për rimëkëmbje ekonomike. PDK-ja nuk ndryshon qëndrimin nga hera e kaluar. Ne do të përmbahemi nga votimi. Me votimin e tij do t’i shkaktojmë dëme të mëdha vendit. Unë jam që të ulemi dhe të bëjmë një pako për rimëkëmbje, jo si kjo që e kemi”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka kritikuar Qeverinë për mosbashkëpunim. Ajo ka thënë se kryeministri asnjëherë nuk e ka ftuar atë për të bashkëpunuar për të kaluar këtë projektligj. Madje, siç ka thënë ajo, ai nuk ka shprehur as interesimin e tij për kalimin e këtij projektligji pasi, sipas saj, Hoti nuk ka qenë prezent as në kohën kur është trajtuar ky projektligj.

“Ajo që duhet të ndodhë është kjo: të kalojë në leximin e parë, mirëpo në qoftë se Qeveria nuk bën përpjekje që të ulet bashkë me të gjithë anëtarët e opozitës dhe ta ndryshojë këtë projektligj në mënyrë që t’i marrë votat në leximin e dytë, natyrisht që as përkrahjen time nuk do ta ketë, e jam e bindur se as të disa deputetëve të tjerë në leximin e dytë”, ka theksuar ajo.

Votimit i parapriu një debat mes kryeparlamentares Vjosa Osmani dhe shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, me kryeparlamentaren, që u ankua se s’është kontaktuar fare nga Qeveria për projektligjin. Ajo konfirmoi votën pro, teksa po ashtu kërkoi nga pushtetarët që në mes të dy leximeve të merren parasysh edhe vërejtjet e opozitës.

Etiketa:

Të tjera