Lajme

Osmani, Konjufca e Kurti pritën të mbijetuarit e aksidentit në Kroaci, u sigurojnë përkujdes institucional

Autori: Gazeta inFokus 23:40 | 27 July 2021

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministri i vendit, Albin Kurti kanë pritur 27 bashkatdhetarët të cilët i mbijetuan aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë.

Krerët e institucioneve shprehën ngushëllime për jetët e humbura në këtë aksident dhe të lënduarve u kanë siguruar se do të kenë përkujdes institucional.

Presidentja Osmani tha se “në tragjedinë e Slavonski Brodit ne nuk i humbëm vetëm bashkatdhetarët tanë. Aty humbëm një copë të shpirtit tonë, një pjesë të asaj që është shtylla jonë e përbashkët e dhimbja jonë e përhershme: mërgimtarët”

-Advertisement-

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca iu shprehu ngushëllime familjarëve që humbën më të dashurit në aksidentin tragjik dhe u dëshiroi shërim sa më të shpejtë të lënduarve.

“Institucionet e vendit do të jenë pranë jush për të përballuar bashkërisht këto momente të vështira për të gjithë ne”, është shprehur Konjufca, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa, Kryeministri Albin Kurti, tha se Qeveria e Kosovës do të përpiqet me të gjitha mundësitë që t’ua lehtësojë sadopak dhimbjet dhe pasojat nga ky aksident teksa shtoi se për shqiptarët e mërguar, jeta është numërim ditësh deri të ardhja e radhës në atdhe.

“Pavarësisht se sa të mëdha janë distancat, ato zvogëlohen, se maten me zemër. Këtë të diel, rruga e gjatë nuk solli në atdhe një pjesë tonën të mërguar. Solli dhimbje për mbarë popullin. Këtë dhimbje sot e ndajmë bashkë dhe qëndrojmë të bashkuar në këtë tragjedi, si një familje e madhe që jemi”, u tha bashkatdhetarëve kryeministri Kurti.

Kthimi i bashkëqytetarëve nga Kroacia në Kosovë është bërë në koordinim të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë.

Qeveria e Kosovës ka organizuar transportimin dhe përcjelljen e bashkatdhetarëve nga aeroporti deri te familjet, në vendbanimet e tyre.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera