Lajme

Osmani Komandantit të KFOR’it: Të shmangen situatat si ajo e Karaçevës

Autori: Gazeta inFokus 17:42 | 10 August 2020

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot komandantin e KFOR-it, gjeneralin Michele Rissi

Në një komunikatë për media nga zyra për informim e Kuvendit të Kosovës, është bërë e ditur se Osmani dhe Rissi kanë biseduar për sigurinë në vend dhe ndihmën që KFOR-i mund të japë në menaxhimin e pandemisë

“Kryetarja Osmani u njoftua me gatishmërinë e strukturave të NATO-s, përkatësisht të misionit të saj në Kosovë, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve të vendit në menaxhimin e pandemisë Covid-19”, thuhet në njoftim.

-Advertisement-

Gjeneral Rissi ka shprehur gatishmërinë që KFOR-i të ofrojë të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’i ndihmuar popullit dhe institucioneve të Kosovës.

“Gjeneral Risi shprehu gatishmërinë e strukturës që ai e udhëheq, që KFOR-i të ofrojë të gjitha kapacitetet e nevojshme për ndihmë popullit dhe institucioneve të Kosovës për menaxhimin e kësaj pandemie”, thekson njoftimi.

Po ashtu, në këtë takim është diskutuar për rolin e KFOR-it në ofrimin e sigurisë për qytetarët e vendit.

Osmani ka kërkuar nga Rissi që bashkëpunimi i KFOR-it me institucionet e sigurisë së Kosovës të thellohet, që të shmangen situatat sikur ajo e Karaçevës.

“Kryetarja Osmani tha se, si udhëheqëse e Kuvendit dhe përfaqësuese e popullit, e çmon jashtëzakonisht lart gatishmërinë e KFOR-it për të siguruar ambient të qetë dhe të sigurt, por kërkoi po kështu që bashkëpunimi i kësaj strukture ushtarake të thellohet me institucionet e sigurisë të Kosovës, në mënyrë që qytetarët e vendit të ndihen të sigurt dhe që të shmangen situatat, sikur ajo e Karaçevës, të cilat mund të ndikojnë që qytetarët e vendit të mos ndihen të sigurt. Kosova i ka të përcaktuar kufijtë e saj që nga 17 shkurti i vitit 2008 dhe qytetarët e vendit duhet të ndihen të sigurt në çdo cep të vendit”, ka thënë Osmani.​

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera