Lajme

Osmani e Kurti për vdẹkjen e Carter: I tregoi botës lidership, lë pas një trashëgimi madhështore të shërbimit për të drejtat e njeriut

Autori: Gazeta inFokus 08:58 | 30 December 2024

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë shprehur ngushëllimet e tyre për vdekjen e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jimmy Carter.

Osmani, përmes një postimi në platformën “X”, ka shkruar për rëndësinë e lidershipit të tij.

“Presidenti Carter i tregoi botës se lidershipi është mbi të gjitha përkushtim, dhembshuri dhe besim i palëkundur te njerëzimi. Ai ia kushtoi jetën paqes, barazisë dhe përmirësimit të jetës për të gjithë. Mendimet tona janë me familjen e tij teksa bashkohemi me miqtë tanë amerikanë për të nderuar trashëgiminë e tij”, ka shkruar Osmani.

-Advertisement-

Edhe kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në platformën  “X”, shprehu ngushëllimet e tij për presidentin Carter.

“Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e Presidentit Jimmy Carter dhe popullin amerikan në ditën e ndarjes së tij nga jeta. Një shekull pas fillimeve të tij modeste në një familje punëtore në Plains, Georgia, Presidenti Carter lë pas një trashëgimi madhështore të shërbimit për të drejtat e njeriut dhe prosperitetin në Shtetet e Bashkuara dhe përtej. U prehtë në paqe”, shkroi Kurti.

Jimmy Carter, presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, u nderua për angazhimin e tij të palodhshëm për të drejtat e njeriut, zgjidhjen e konflikteve dhe ndihmën humanitare.

Ai vdiq në moshën 100 vjeçare. Vdekja e tij shënon fundin e një epoke për një lider që la gjurmë të thella jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën.

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera