Lajme

Osmani: Aksioni kundër kontrabandës me mallra nuk mund të quhet “aksion i veriut”

Autori: Gazeta inFokus 17:21 | 13 October 2021

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar është e pakompromis dhe e panegociueshme. Këto deklarata të Osmanit erdhën pas aksionit të policorë kundër mallrave të kontrabaduara që u realizua në disa qytetet të Kosovës, por që u kundërshtua në veri të Mitrovicës.

Ajo ka thënë se ky aksion nuk duhet të quhet “aksion në veri” sepse ai ishte aksion në pjesë të ndryshme të Kosovës dhe ndaj etnive të ndryshme.

Presidentja Osmani e ka theksuar se lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike, por siglën e përkatësisë në grupe kriminale.

-Advertisement-

“Lufta kundër krimit të organizuar është e pakompromis dhe e panegociueshme. Të negociosh e të bësh kompromis me krimin është të bëhesh njëri prej tyre. Prandaj aksioni i sotëm i policisë dhe doganës së Kosovës, i autorizuar nga institucionet e drejtësisë, nuk mund të quhet “aksion në veri”, sepse ai ishte aksion në pjesë të ndryshme të Kosovës, ndaj personave të etnive të ndryshme, e këta persona të përbashkëtën e kishin kontrabandën dhe krimin e organizuar. Ky lloj i krimit ka qenë gjithnjë multietnik. Disa shqiptarë në jug e disa serbë në veri e persona të etnive të tjera, shpeshherë të ndihmuar nga politikanë të caktuar, ka vite që kanë organizuar këtë krim. Por, ato ditë kanë perënduar. Lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike, por siglën e përkatësisë në grupe kriminale. Kushdo që tenton ta paraqesë ndryshe, është ndihmëtar ndaj grupeve kriminale, të cilat BE-ja ka dy dekada që po kërkon t’i luftojmë. Tani që kjo luftë ndaj krimit është e vertetë, e pakompromis, dhe e panegociueshme, presim që BE të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson”, ka shkruar Osmani.

Pas situatës së krijuar në veri të Mitrovicës ku u vendosen barrikada, policia ka treguar se grupe kriminale të organizuara kishin bllokuar rrugët me mjete të ndryshme transportuese, ata përdorën bombola gazi, shok bomba e kanë shtënë me armë zjarri e granata dore. Krejt kjo për të penguar sulmin ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë.

Me këtë rast janë arrestuar tetë persona, ndërsa rreth 10 persona janë shpallur në kërkim.

Për këtë ka reaguar edhe kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se “Aksion i Policisë kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës. Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri). Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale. Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera